Debate te “Ligjet”, PD: Prokuroria dështoi të parandalojë krimet zgjedhore. PS: Raporti i OSBE/ODIHR-it do gjejë vend në Kodin Zgjedhor
Rekomandimet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it sollën debate mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve.
Deputetët e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso deklaruan se prokuroria dështoi në ngritjen e Task-Forcës për të parandaluar krimin zgjedhor dhe sipas tyre vihet re një pamjaftueshmëri në funksionimin e çdo lloj institucioni mbikëqyrës.
“Është ngritur një task-forcë që ka dështuar në mënyrë masive. Nëse ne shohim këtë raport ne kuptojmë centralizmin e pushtetit, kuptojmë se si këto institucione të pavarura janë një thonjëza të pavarura nuk kanë fuqinë të frenojnë qeverinë në bashkëpunim me krimin e organizuar për të shkatërruar çdo aspekt të mirëqeverisjes”, tha Bylykbashi.
“Është e pafalshme për ne të mos reflektojmë atë pamjaftueshmëri që konstaton ODIHR-i”, tha Kaso.
Nga ana e tij, kryetari i “Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, theksoi se rekomandimet e këtij raporti duhet të gjejnë vend në Kodin e ri Zgjedhor.
“Raporti ka vlerësime pozitive si çka dhe kritika. Secila palë kur vjen te vlerësimet e sheh në këndvështrimin e vet. Te Rekomandimet shumë shpejt Kuvendi e ka në agjendën ngritjen e Komisionit të reformës Zgjedhore. Palët politike i kanë të gjitha mundësitë që atje t’i adresojnë si duhet edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, sepse në fund të ditës zgjedhjet e rashës janë në 2027, pastaj zgjedhjet politike në 2029 dhe rekomandimet do të gjejnë vend për aq sa është e mundur dhe palët do bien dakord në kodin e ri zgjedhor”, tha Manja.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




