Debati në “Trialog”- Vangjeli: Ka pasur fërkime mes SPAK dhe BKH. Ndoja: “Lufta e ftohtë“ ka ndodhur sepse të dyja ishin institucione të reja
Në emisionin “Trialog” në RTSH, analisti Lorenc Vangjeli dhe deputeti i PD-së, Arjan Ndoja, kanë zbardhur detaje mbi atë që është cilësuar si një konflikt i heshtur mes dy institucioneve elitare të drejtësisë.
Sipas analistit Lorenc Vangjeli, përplasja mes dy strukturave ka qenë një “sekret publik”. Ai theksoi se “mungesa e harmonisë nuk ishte thjesht administrative, por lidhej edhe me thelbin e punës hetimore”.
“Ndonëse nuk është folur publikisht, ka pasur përplasje mes SPAK dhe BKH-së. Në zemër të kësaj përplasjeje ka qenë mënyra e hetimit nga BKH-ja,” tha Vangjeli.
Ai tha se individë brenda strukturës kanë vepruar jashtë standardeve.
“Ka pasur sjellje prej kaubojsi të disa individëve në BKH që krijuan atmosferë mbytëse. Flitet për elementë që mbaheshin përgjegjës për një sërë shkeljesh në hetim, deri te të drejtat e njeriut.”, tha Vangjeli.
Megjithatë, Vangjeli nënvizoi se profili i Joni Ketës, si një profesionist me përvojë, do të arrijë t’i sheshojë këto problem.
Ndoja: Përplasje institucionesh të reja, Keta e njeh sistemin
Nga ana tjetër, deputeti dhe ish-prokurori Arjan Ndoja, e cilësoi këtë “luftë të ftohtë”, sipas tij, si një pasojë të natyrshme të krijimit të institucioneve të reja dhe vështirësisë në bashkërendim.
“Lufta e ftohtë mes kreut të SPAK dhe BKH-së ka ndodhur sepse të dyja ishin institucione të reja. Bashkërendimi shpesh është i vështirë, pasi ka dhe varësi tjetër BKH-ja,” argumentoi Ndoja.
Deputeti demokrat vlerësoi figurën e drejtuesit të ri, duke theksuar se përvoja e tij e mëparshme është një garanci.
“Keta vjen nga strukturat e prokurorisë dhe e njeh sistemin. Ai s’ka pasur më parë varësi nga Policia e Shtetit, por tani besoj se do të dijë si ta menaxhojë,” përfundoi Ndoja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




