Dëborë në veri të vendit, problematika në rrugët dytësore

Situata e motit në vend është përmirësuar, por ende ka problematika në disa akse rurale të vendit. Në disa segmente të rrugës së Iballës, situata paraqitet e rënduar për shkak të sasive të mëdha të dëborës në rrugë.
Në bashkinë Shkodër, rruga Bogë-Theth është e hapur. Në bashkinë Fushë Arrëz, reshjet e dëborës kanë pushuar dhe trashësia e saj i kalon 30 cm. Rrugët nacionale janë të hapura dhe qarkullimi kryhet për automjete të pajisura me zinxhirë. Në rrugët rurale po punohet për pastrimin dhe kthimin e tyre në normalitet.
Në Qarkun e Korçës, gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar në të gjithë territorin, të shoqëruara dhe me erë. Trashësia e dëborës varion nga 10 deri në 25 cm në zonat malore. Nisur nga situata e krijuar, subjektet kontraktore kanë qenë në gatishmëri duke kriposur dhe mirëmbajtur akset kryesore nacionale e turistike, ndërsa vazhdon puna për hapjen e rrugëve dytësore, lidhëse dhe të shesheve në qendrat e qyteteve.
Pa energji elektrike janë ende 12 fshatrat e Njësisë Administrative Proptisht, të cilët marrin energji elektrike nga Agjencia Elektrike Përrenjas. Në bashkinë Mirditë, në fshatin Nënshejt është ndërhyrë për pastrimin e rrugës, pasi ka qenë e bllokuar nga trashësia e dëborës deri në 20 cm dhe krijimi i grumbujve që vështirësonin kalimin e mjeteve. Në bashkinë Kurbin, energjia elektrike është rikthyer rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Në Lezhë, grupet e punës së OSHEE kanë riparuar defektet duke furnizuar të gjithë abonentët. Akset rrugore janë të gjitha të kalueshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




