Dekriminalizimi, KQZ mbyll pa vendim dosjen e kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë” në Lushnjë, dritë jeshile për demokratin në Bulqizë

Politikë | 11 muaj më parë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), Ilirjan Celibashi, ka zhvilluar sot seancën publike për shqyrtimin e pastërtisë së figurës për dy subjekte vetëdeklarues, pas verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme. Në fokus kanë qenë dy kandidatë të propozuar nga opozita në zgjedhjet e kaluara vendore.

Rasti i parë i shqyrtuar ishte ai i Elton Banos, i cili garoi si kandidat për Kryetar në Bashkinë e Lushnjës nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” (SHL), gjatë zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit 2022.

Për këtë rast, Komisioneri vendosi mbylljen e procedurës administrative pa marrë një vendim përfundimtar penalizues apo shfajësues. Argumenti ligjor i përdorur nga KSHZ ishte se tashmë “ka humbur objekti dhe qëllimi i procedurës”, duke qenë se zgjedhjet kanë përfunduar kohë më parë dhe efekti i verifikimit nuk prodhon më pasoja juridike për garën në fjalë.

Ndryshe nga rasti i parë, KQZ ka dhënë “dritën jeshile” për Arjan Xhetën, kandidat i Partisë Demokratike për anëtar në Këshillin e Bashkisë Bulqizë në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Pas shqyrtimit të rezultatit të verifikimit nga Prokuroria, KSHZ konstatoi se Xheta nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuara nga ligji i dekriminalizimit. Me këtë vendim, ai legjitimohet plotësisht për të ushtruar funksionin publik të anëtarit të Këshillit Bashkiak.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme