Demo: Digjitalizimi i shërbimeve vendore, hap drejt modernizimit të administratës publike

Aktualitet | 11 muaj më parë

Në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, të drejtuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u prezantua projekti i ri qeveritar për digjitalizimin e shërbimeve në të gjitha bashkitë e vendit.

Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve qendrore e vendore, si dhe të biznesit vendas e të huaj.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, i cili mbështeti nismën e prezantuar nga ministrja Ibrahimaj, duke e cilësuar si një hap kyç drejt modernizimit të administratës publike dhe rritjes së efikasitetit të institucioneve vendore.

Demo theksoi se digjitalizimi i shërbimeve do të sjellë një transformim të mënyrës se si qytetarët dhe bizneset aksesojnë shërbimet publike, duke i bërë ato më të thjeshta, më të shpejta dhe të përdorshme online, pa nevojën e vizitave fizike në zyrat e bashkive.

“Ky projekt nuk është vetëm teknologji. Është një mënyrë për të sjellë qeverisje më afër qytetarëve dhe për të bërë administratën publike më efikase, transparente dhe të besueshme”, u shpreh Demo, duke nënvizuar rëndësinë e digjitalizimit për forcimin e transparencës dhe besimit të qytetarëve tek institucionet.

Ministrja Ibrahimaj, nga ana e saj, vuri në dukje se digjitalizimi i pushtetit vendor do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, duke e bërë më të lehtë për bizneset kryerjen e procedurave administrative dhe aksesimin e shërbimeve kritike në kohë rekord. Ajo theksoi se ky projekt është pjesë e vizionit për një Shqipëri më inovative, të orientuar drejt qytetarëve dhe sipërmarrjes, duke vendosur standarde të reja për administratën publike dhe shërbimet vendore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme