Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, gazetari i Kosovës për RTSH 24: Aktgjykimi i Hagës ngre pikëpyetje, apelimi pritet të sfidojë vendimin
Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, vëmendja tashmë është zhvendosur te arsyetimi i trupit gjykues dhe hapat e mëtejshëm në procesin gjyqësor. Gazetari nga Kosova Bexhet Begu, në një lidhje direkte për RTSH 24, e ka cilësuar vendimin si të papritur dhe ka ngritur një sërë pikëpyetjesh lidhur me mënyrën e vlerësimit të provave dhe dëshmive.
Sipas Begut, rezultati i procesit ishte i papritur për opinionin në Kosovë, duke pasur parasysh rrjedhën e procesit gjyqësor.
“Në fakt, vendimi ka surprizuar opinionin kosovar, pasi që nuk është pritur një dënim i tillë i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur kemi për bazë rrjedhjen e procesit gjyqësor. Trupi gjykues pothuajse nuk ka marrë fare në shqyrtim dëshmitë apo dëshmitarët kryesorë, të cilët kanë shpjeguar mënyrën dhe kohën e krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Begu përmendi ndër të tjerë dëshmitarë ndërkombëtarë që, sipas tij, kanë folur për strukturën dhe kapacitetet e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë. Sipas tij, një nga çështjet më të debatueshme është mënyra se si gjykata ka trajtuar strukturën e UÇK-së dhe përgjegjësinë individuale të katër të akuzuarve.
Begu tha se, sipas vlerësimit të tij, këto dëshmi duhet të jenë pjesë e analizës së mënyrës së funksionimit të UÇK-së gjatë luftës.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri vullnetare dhe ai organogram që paraqitet në publik nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës është elaboruar saktë nga ish-gjenerali Clark, nga diplomati amerikan për Ballkanin, Christopher Hill, por edhe nga drejtues të tjerë ndërkombëtarë”, tha gazetari.
Një tjetër element i aktgjykimit që u diskutua ishte fakti se katër ish-krerët nuk u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit, ndërsa u dënuan për krime lufte. Begu e konsideroi këtë dallim të rëndësishëm për mënyrën se si do të interpretohet vendimi.
“Trupi gjykues ka përdorur një tregues i cili shkon në favor të shtetit të Kosovës, mirëpo është krejtësisht tregues që i lirohen nga sulmi ndaj popullatës civile dhe krimeve kundër njerëzimit”, tha ai.
Ai tha se shqetësimi kryesor, sipas tij, mbetet mënyra se si është trajtuar koncepti i ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
“Kjo është një çështje tjetër shqetësuese për historinë dhe mënyrën se si do të përshkruhet historia e Kosovës”, tha Begu.
Begu tha se pret që mbrojtja ta kundërshtojë vendimin dhe që procesi i apelit të trajtojë edhe mënyrën se si janë vlerësuar provat.
“Shpresoj që kjo radhë të merret edhe më seriozisht dhe të caktohet sa më shpejt trupi gjykues, i cili do të marrë për bazë ankimimin e palës mbrojtëse. Shpresoj dhe kam bindjen e plotë se apeli do ta rrëzojë këtë aktgjykim, për arsye se nuk janë marrë dhe nuk janë shqyrtuar fare dëshmitë e dëshmitarëve kryesorë”, tha ai.
Dhomat e Specializuara në Hagë përfunduan shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa ish-kryeparlamentari dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, me 25 vjet. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Trupi gjykues i shpalli katër të akuzuarit fajtorë për një sërë krimesh lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, si dhe për disa akuza dhe incidente të tjera.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




