Dënohet atentatori i Ficos – 21 vite burg për autorin që plagosi kryeministrin e Sllovakisë
Një gjykatë sllovake dënoi të martën me 21 vjet burg Juraj Cintulan, poetin 72-vjeçar, që më 15 maj 2024 plagosi me armë zjarri kryeministrin e Sllovakisë Robert Fico. Sulmi ndodhi pas një takimi të qeverisë në qytetin Handlova, ndërsa Fico doli në rrugë për të përshëndetur mbështetësit.
Cintula, i cili u ndalua në vendngjarje, tha e qëlloi kryeministrin për ta plagosur, por jo për ta vrarë, por gjykata e shpalli fajtor me akuzat për terrorizëm, duke njoftuar dënimin me 21 vite në një burg të sigurisë së lartë. “Cintula veproi me motivin për të ndaluar funksionimin e duhur të qeverisë- tha gjyqtari i çështjes ndërsa lexoi vendimin ndaj 72-vjeçarit.
Pas seancës, avokati paralajmëroi apelimin e dënimit. Gjyqi ndaj poetit Cintula filloi në korrik. Vetë Fico nuk dëshmoi, por dha një deklaratë në video para hetuesve pas sulmit, e cila u transmetua në gjykatë. Prokurorët fillimisht e akuzuan Cintulën për vrasje me paramendim, por më vonë e ri klasifikuan të shtënat si një sulm terrorist, duke përmendur motivin e tij politik. Pas ngjarjes, 72-vjeçari i tha policisë se donte të protestonte kundër hapave të ndërmarra nga qeveria e Ficos, përfshirë ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Fico iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale, para se gjendja e tij të përmirësohej dhe të kthehej në detyrë dy muaj pas të shtënave. 61-vjeçari po shërben për një mandat të katërt si kryeministër në krye të një koalicioni tre partiak që ka qeverisur vendin anëtar të BE-së dhe NATO-s me 5.4 milionë banorë që nga viti 2023, ndërsa ai ka lidhje miqësore me presidentin rus Vladimir Putin, lidhje që ka çuar në protesta masive nën sloganin “Sllovakia është Evropë”.
Gazetare: V. Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




