Deputeti Ardit Bido i kërkon autoriteteve greke publikimin e listës së personave të ndaluar në kufi

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme të Greqisë dhe Ambasadës së saj në Tiranë të publikojnë listën e personave shqiptarë që janë të ndaluar të hyjnë në territorin grek, si dhe arsyet ligjore që kanë çuar në marrjen e këtyre vendimeve.
Ai theksoi se qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë dhe trajtim të drejtë në çdo procedurë që lidhet me lëvizjen e tyre të lirë, duke shtuar se kjo çështje ka krijuar pasiguri prej vitesh dhe është koha të sqarohet zyrtarisht.
Dy ditë pas ndalimit të gazetarit Artan Hoxha në kufirin shqiptaro-grek, deputeti Bido shkruan se,“sot i jam drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë dhe Ambasadës së Greqisë në Tiranë, duke kërkuar publikimin e listës së personave shqiptarë që ndalohen të hyjnë në territorin grek, si dhe arsyet ligjore që kanë çuar në marrjen e këtij vendimi. Qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë, qartësi dhe trajtim të drejtë në çdo procedurë që lidhet me lëvizjen e tyre të lirë. Kjo çështje ka krijuar pasiguri prej vitesh dhe është koha që të sqarohet zyrtarisht”.
Më poshtë, letra e tij zyrtare:
Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë
Ambasadës së Republikës së Greqisë në Tiranë
Kërkesë për publikimin e listës së personave të ndaluar të hyjnë në territorin grek
I nderuar Ministër,
I nderuar Ambasador,
Me anë të kësaj letre ju drejtohem në mënyrë zyrtare për një çështje që ka rëndësi për qytetarët shqiptarë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Prej vitesh në opinionin publik shqiptar përflitet se ekziston një listë shtetasish shqiptarë ndaj të cilëve autoritetet greke kanë vendosur masën të ndalimit të hyrjes në territorin grek. Mungesa e informacionit zyrtar ka krijuar pasiguri dhe shqetësim, sidomos te qytetarët që udhëtojnë rregullisht për punë, vizita familjare apo arsye të tjera të ligjshme.
Për këtë arsye, ju kërkoj që të bëni të ditur:
- Listën zyrtare të personave ndaj të cilëve është vendosur masa e ndalimit të hyrjes, së bashku me arsyet ligjore përkatëse; ose, nëse publikimi i emrave nuk lejohet,
- Numrin e përgjithshëm të rasteve, kategoritë e arsyeve ligjore dhe procedurën që ndiqet për vendosjen e kësaj mase.
Transparenca mbi këtë çështje i shërben qytetarëve, forcon besimin midis institucioneve dhe ndihmon në shmangien e çdo keqkuptimi.
Duke vlerësuar marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Greqisë, mbetem në pritje të një përgjigjeje zyrtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





