Deputeti Gjekmarkaj: Votoj kundër projektbuxhetit 2026, sepse u shërben monopoleve dhe jo qytetarëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend gjatë diskutimeve për buxhetin e shtetit 2026, e ka etiketuar atë si një “fabul propagande që u shërben monopoleve dhe jo qytetarëve”.
Gjekmarkaj deklaroi votën e tij kundër, duke argumentuar se ky projektligj thellon pabarazinë dhe institucionalizon korrupsionin.
Nga foltorja e Kuvendit, Gjekmarkaj akuzoi mazhorancën se ka hartuar një buxhet që nuk buron nga nevojat e komuniteteve, por nga interesat e klientëve të pushtetit.
“Ky është një buxhet i porositur nga interesat e monopoleve. Një buxhet që bashkon përfituesit në një tryezë,”, tha ai, duke shtuar se investimet publike shkojnë aty ku ka fitim për oligarkët dhe jo aty ku ka nevojë qytetari.
Sipas tij, rrugët ndërtohen me pesëfishin e çmimit dhe prishen para se të mbarojnë, ndërsa spitalet modernizohen vetëm në narrativë, duke lënë pacientët – si ata te Onkologjiku – në mëshirë të fatit.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, deputeti demokrat ia kushtoi varfërisë, të cilën e cilësoi jo thjesht si mungesë ekonomike, por si “zhveshje nga dinjiteti”.
“Kur prindi nuk i thotë dot më fëmijës se nesër do të jetë më mirë, shuhet e ardhmja. Këtu është pika kur Atdheu të vret dhe të dëbon,”, u shpreh Gjekmarkaj, duke theksuar se kjo varfëri e programuar shërben për të mbajtur në këmbë arrogancën e pushtetit.
Ai e cilësoi qeverinë si “një skuadër artistësh që nuk prodhojnë kulturë, por fasada dhe skenarë vjedhjeje”.
“Artistë ku njëri është më kreativ se tjetri në shpikjen e mënyrave të reja të zhvatjes. Në talentin për të maskuar dështimin me gënjeshtra janë magjistarë… Kështu u ngrit monumenti i korrupsionit dhe i shtetit të privatizuar,”, theksoi deputeti.
Gjekmarkaj ngriti alarmin edhe për atë që e quajti “dekulturim të elitave”, duke paralajmëruar se varfërimi i mësuesve dhe intelektualëve e bën shoqërinë të paaftë për të reaguar ndaj autokracisë.
Në mbyllje, ai konfirmoi votën kundër, duke e cilësuar qëndrimin e tij si një refuzim ndaj filozofisë që e sheh shtetin si pronë private.
“Votoj kundër hajdutëve, kopukëve dhe teveqelave që i kanë zënë frymë gjithçkaje. Votoj për të mbrojtur dinjitetin e një Republike që po shuhet,”, përfundoi Gjekmarkaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




