Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku: Industria, energjia dhe bujqësia po shkatërrohen

Politikë | 1 vit më parë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimin, sipas saj, për rënien e thellë të disa sektorëve kyç të ekonomisë shqiptare. Në një video të postuar në rrjetet sociale, ajo theksoi se industria, energjia dhe bujqësia po përballen me një situatë kritike, e cila po dëmton rëndë punësimin dhe perspektivën ekonomike të vendit.

Sipas shifrave të paraqitura nga Tabaku, rënia është e ndjeshme në të gjithë sektorët.

“Industria ka rënë me 7.5% në tremujorin e fundit, duke shkaktuar një rënie të punësimit me 5.2%. Energjia ka pësuar rënie me 5.2%, ndërsa punësimi në këtë sektor është ulur me 2.6%. Bujqësia ka shënuar një tjetër rënie me 1%, duke u shoqëruar gjithashtu me një rënie të punësimit”, thekson deputetja e PD-së.

Tabaku e lidhi këtë situatë direkte me atë që ajo e quajti “një sistem ekonomik që favorizon pakicën dhe mbitakson shumicën”. Sipas saj, ky sistem po shkatërron sektorët prodhues dhe po u heq qytetarëve perspektivën për një të ardhme më të mirë.

“Ekonomia shqiptare nuk prodhon më, nuk ka produktivitet dhe ka shteruar”, tha deputetja. Ajo shtoi se ky sistem duhet të ndryshohet dhe “ky burim duhet të thahet”, duke iu referuar modelit aktual ekonomik që po ndiqet.

Tabaku, e cila është propozuar nga PD-ja si kryetare për Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, shtoi se problemet ekonomike po thellohen edhe nga pastrimi i parave dhe zhvlerësimi i euros, ndërsa taksat e padrejta po rëndojnë mbi fermerët dhe bizneset e vogla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme