Derbi helen, spektakël në RTSH Sport

Basketboll | 3 vite më parë

I mbiquajturi “derbi i derbeve”, supersfida e dy rivaleve të përjetshme greke, midis Olimpiakosit dhe Panathinaikosit, ka qenë sfida më e spikatur e javës së 28-të të Euroligës së basketbollit për meshkuj. Kjo ndeshje, që erdhi për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka parë përmbysje të pabesueshme, teksa në 10-minutëshin e fillimit, skuadra vendase shënon vetëm 7 pikë, kundrejt 17 pikëve të shënuara nga Panathinaikosi.

Por 10-minutëshi i dytë ka patur një tablo diametralisht të kundërt, pasi është Olimpiakosi që e fiton atë me shifrat 26-16, duke bërë që të dy skuadrat të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave në barazpeshë të plotë, 33-33. Dhe skuadra vendase e ka ruajtur ritmin e lojës edhe pas daljes nga dhomat e zhveshjeve, pasi e ka fituar 10-minutëshin e 3-të, 15-9, duke kryesuar kështu pas një gjysmë ore loje me shifrat 48-42.

10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka qenë i luftuar, por Olimpiakosi ruan gjakftohtësinë dhe e mbyll atë në barazim 23-23, çka mjafton për ta fituar gjithë ndeshjen 71-65. Të premten do të vijë në RTSH Sport, duke nisur nga ora 20:30, edhe një tjetër supersfidë e javës së 28-të, ajo midis Virtus Bolonjës dhe Realit të Madridit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme