Derdhja masive e naftës pranë Omanit alarmon autoritetet, njolla është përhapur në 1,300 km²

Një derdhje e madhe nafte në Detin Arabik, pranë brigjeve të Omanit, po përhapet me shpejtësi dhe tashmë ka mbuluar rreth 1,300 kilometra katrorë, duke ngritur shqetësime për një katastrofë të rëndë mjedisore.
Sipas organizatës Greenpeace, analiza e imazheve satelitore tregon se nafta është shpërndarë në disa zona të veçanta dhe nuk formon një masë të vetme të vazhdueshme.
Rrjedhja është zhvendosur drejt bregut të Omanit dhe, sipas autoriteteve, ka prekur rreth 40 kilometra vijë bregdetare në Ras Madrakah, më shumë se 200 kilometra larg tanker-it të dëmtuar.
Autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të shmangin peshkimin në zonat e prekura, ndërsa produktet e detit që shiten në tregje do t’i nënshtrohen kontrolleve për ndotje.
Në qendër të incidentit ndodhet tankeri Caroline Bezengi, i cili po transportonte rreth 800 mijë fuçi naftë kur u dëmtua në ujërat pranë Omanit.
Anija, e cila është e sanksionuar dhe besohet se lidhet me atë që njihet si “flota hije” e tankerëve të naftës, aktualisht ndodhet e dëmtuar dhe pjesërisht e fundosur.

Shkaku i saktë i incidentit mbetet ende i paqartë. Rrjedhja e naftës së ruajtur në anije u zbulua për herë të parë në fillim të korrikut.
Sipas analizave të Greenpeace, deri më 4 gusht njolla e naftës kishte mbuluar rreth 600 kilometra katrorë, ndërsa tashmë sipërfaqja e prekur është më shumë se dyfishuar.
Shqetësimi kryesor lidhet me pasojat që ndotja mund të ketë mbi ekosistemet e brishta të zonës.
Rajoni përfshin shkëmbinj koralorë, livadhe me bar deti dhe plazhe ku folezojnë breshkat, ndërsa në këto ujëra gjendet edhe balena e Detit Arabik, një prej gjitarëve detarë më të rrallë në botë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nafta vazhdon të arrijë në breg, pasojat mund të zgjasin për vite. Nafta mund të depërtojë në sedimente dhe ujë, duke prekur jo vetëm gjallesat detare, por edhe komunitetet që varen nga peshkimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




