Dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Thaçit, juristi amerikan Paul Williams përfundon dëshminë në Hagë

Kosovë | 1 vit më parë

Dëshmitari i dytë i mbrojtjes Paul Williams, tha se Thaçi kontrollohej nga jashtë dhe kishte presion nga komandantët lokalë gjatë negociatave në Rambuje.

Ndërsa përfundoi dëshminë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, juristi amerikan, i cili ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në vitin 1999, u shpreh se delegacioni kishte rreth 16 anëtarë, ndërsa Thaçi u zgjodh kryetar i tij me shumicë votash.

Williams shpjegoi se të gjithë anëtarët e delegacionit kërkonin pavarësi dhe atij i ka marrë shumë kohë bindja e tyre se si mund të arrihej pavarësia pa qenë pjesë e marrëveshjes në Rambuje.

“Hashim Thaçi dhe të gjithë anëtarët e delegacionit të Kosovës dhe ekspertët e tyre kërkonin pavarësi, pavarësia ishte e domosdoshme. Kam kaluar shumë kohë duke u shpjeguar mënyrën, rrugën se si mund të arrinin pavarësinë në qoftë se ajo fjalë nuk përfshihej në marrëveshjen e Rambujesë. U kam thënë që në qoftë se vini dhe thoni unë jam nga Kosova, pavarësia është fjala e radhës që dilte nga goja e tyre”, u shpreh Williams.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, juristi amerikan tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës shihej si një dimension i rëndësishëm i përbërjes politike të Kosovës. Pyetjes nëse ishte befasi që Ibrahim Rugova si president nuk ishte kryetar i delegacionit nga Kosova, ai iu përgjigj se nuk ishte befasi.

“Presidenti Rugova që ishte personi i parë që unë kam ofruar shërbimet mia dhe e kam këshilluar përmes Bujar Bukoshit e respektonte shumë çdo bisedë që një ndërkombëtar bënte me të dhe gjithmonë ai përfundonte me dy fjalë që ishin ‘pavarësia dhe mos përdorimi i forcës’. Rugova luajti një rol të rëndësishëm në Rambuje duke përfaqësuar popullin e Kosovës. Ai mishëronte paqen dhe aspiratën për pavarësi, por nuk ishte negociator”, tha Williams.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së vijon të hënën me dëshmitarin e tretë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme