Dështon edhe përpjekja e 18-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kadrijaj: Haxhiun ta propozojmë për Çmimin Nobel!

Kosovë | 1 vit më parë

Ka dështuar edhe përpjekja e 18 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ngërçi është i njëjtë sikurse edhe në seancat e kaluara, ku nuk është arritur të mblidhen votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë sërish përkrahjen e nevojshme nga deputetët.

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për kryetare Kuvendi. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.

“I bëj thirrje edhe një herë LVV-së dhe liderit të saj, Kurti, që ta ndërrojnë kandidaten dhe të vijnë me një kandidat në mesin e atyre që e dinë që e kanë që mund të marrë shumicën për t’u bërë kryetare apo kryetar e kuvendit dhe të shkojmë tutje në konstituimin e Kuvendit të Kosovës por edhe në afatet kushtetuese për themelimin e qeverisë. Sepse kështu si jemi, kemi mbetur një shtet në gjendje emergjente esencialisht meqenëse nuk kemi as qeveri legjitime e as kuvend funksional,” tha kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“S’po e di, vetëm ta propozojmë për Çmimin Nobel Albulena Haxhiun për dështimet e njëpasnjëshme me plot seanca, edhe pse Çmimi Nobel është për të arriturat,” shtoi shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

Ndërkohë, seanca e radhës do të mbahet të mërkurën në orën 11:00.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme