Kosovë – Dështon edhe tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit, gazetarja: “Nuk ka votë për Haxhiun”

Kosovë | 1 vit më parë

Deputetët në Kosovë e kanë shtyrë për 48 orë të tjera seancën e konstituimit të Kuvendit, duke qenë se palët për të 20-tën herë nuk ranë dakord për të zgjedhur kryetarin.

Albulena Haxhiu, kandidatura e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeparlamentares, sërish nuk siguroi mbështetjen e nevojshme.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, evidentoi mungesë të kuorumit për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, që kryeministri Albin Kurti e ka propozuar si zgjidhje për të dalë nga ngërçi.

Subjektet politike në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-së) kanë deklaruar se nuk do ta votojnë znj. Haxhiu. Po ashtu, Vetëvendosja është shprehur se nuk do të lëvizë nga kandidatura e vet.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga salla e Kuvendit, gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës, Arlinda Sejda, deklaroi për RTSH 24 se partitë e pakicës janë gati të bashkojnë votat për kandidatë të tjerë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaron se mund ta votojnë Saranda Bogujevcin apo Shqipe Selimin. Gjatë ditës [Ramush] Haradinaj ka deklaruar se mund ta votojnë edhe [ish-kryeparlamentarin] Glauk Konjufcën. Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon me qëndrimin e njëjtë: nuk ka votë për Haxhiun, por nuk ka as propozim për anëtar të komisionit që po propozohet seancat e fundit [nga Kurti]. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklarojnë se nuk do të kenë asnjë votë për asnjë kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i mbetur qëndrimit të tyre për një qeveri tranzicionale.

Ditët e fundit po aludohet se Fatmir Limaj, si deputet i zgjedhur nga Nisma Socialdemokrate, një parti që në këtë legjislaturë të nëntë përfaqësohet me 3 deputetë, si kandidat potencial i mundshëm, nuk ka pasur deklarata nga përfaqësuesit e partive nëse janë dakorduar për ta votuar,” u shpreh znj. Sejda.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese pritet t’i kthejë përgjigje AAK-së në lidhje me kushtetutshmërinë e seancave plenare të mbajtura deri tani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme