Kosovë – Dështon përpjekja e 22-të për konstituimin e Kuvendit, Abdixhiku: LDK s’ka çantë magjike, Vetëvendosja nuk do zgjidhje

Kosovë | 1 vit më parë

Ka dështuar për të 22-tën herë përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sikurse në seancën e datës 25 maj, nuk është formuar kuorumi i mjaftueshëm për formimin e komisionit me votim të fshehtë, pasi vetëm 54 deputetë u shprehën pro në votën e tyre dhe një kundër. Pjesa tjetër e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë refuzuar marrjen pjesë në këtë votim.

“Kjo çështja e votimit të fshehtë ndodhet e adresuar te Gjykata Kushtetuese dhe shpresoj e uroj për një përgjigje sa më të shpejtë”, tha kryeministri Albin Kurti pas seancës pa sukses të formimit të Kuvendit.

Deputetët pritet të mblidhen sërish më 29 maj në orën 11:00.

Në një prononcim për media nga jashtë ambienteve të Kuvendit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, deklaroi se zgjidhja e vetme për ngërçin e krijuar është qeveria gjithëpërfshirëse.

“Zgjidhja në këto rrethana dhe kushte është mundësia për dakordimin për qeveri gjithpërfshirëse, me kohë të caktuar dhe me agjendë e plan të saktë. Gjithnjë më sfiduese ka qenë krijimi i qeverisë sesa emërimi i kryetarit të Kuvendit. Kështu që kur një parti nuk mund t’i ketë votat e mjaftueshme, është e pakuptimtë të vazhdohet me të njëjtën agjendë”, deklaroi ai, raporton RTK.

Çuni ka bërë me dije para gazetarëve se Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka kontaktuar privatisht dy deputetë të LDK-së për t’i dhënë zgjidhje formimit të institucioneve. Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas seancës deklaroi se partia të cilën ai e drejton ka ofruar zgjidhje, por sipas tij, VV-ja nuk do.

“Duhet marrëveshje politike. E vërteta është e thjeshtë: ke 48 deputetë dhe nuk je në gjendje të ulesh me dikë për zgjidhje, dhe thua që nuk është urgjencë. kjo tregon qartë se në çfarë gjendje jemi. LDK nuk mund të bëjë magji.“

Bllokimin e krijuar për konstituimin e Kuvendit, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ia faturon kryetarit të Vetëvendosjes, njëherësh kryeministrit në detyrë, z. Kurti dhe deputetes së kësaj partie, Albulena Haxhiut.

Nga ana tjetër, Kryetari i Nismës Sociale, Fatmir Limaj, theksoi se partia e tij nuk ka asnjë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje. /RTK 1, 2, 3

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme