Detaje nga vrasja e dyfishtë pranë një karburanti në Durrës, konflikti nisi për një kafe. Në kërkim autori
Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja në Manëz të Durrësit, dy të rinj kanë mbetur të vrarë me armë zjarri pas një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit, pranë një pike karburanti në afërsi të qendrës së Manzës.
Sipas burimeve, njëri prej viktimave, së bashku me një tjetër person, kanë hyrë në lokalin që ndodhet pranë karburantit dhe i kanë kërkuar kamerierit t’u shërbente kafe.
Kamerieri u është përgjigjur se nuk mund ta përgatiste pasi ekspresi ishte fikur. Pikërisht në ato momente ka nisur një debat verbal mes njërit prej viktimave dhe kamerierit, ku është përfshirë edhe banakieri. Situata është përshkallëzuar, pasi në konflikt është futur edhe një person tjetër që ndodhej në lokal.
Nga përplasja me armë zjarri humbën jetën dy të rinj Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Aranit Kurti është qëlluar për vdekje nga Flori Paluçi, ndërsa Flori Paluçi është vrarë nga Daniel P., 21 vjeç, pasi ky i fundit ka ndërhyrë në konflikt për të mbrojtur shokun e tij.
Autori i dyshuar, Daniel P., është aktualisht në kërkim, ndërsa forcat e policisë po zhvillojnë kontrolle intensive në zonë për kapjen e tij.
Gazetar: Aleks Kalemasi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




