Dezinformimi te të moshuarit, Gonzato: Duhet më shumë edukim mediatik

Aktualitet | 5 muaj më parë

Të moshuarit janë një nga kategoritë më të ekspozuara ndaj dezinformimit dhe përballja me këtë fenomen kërkon më shumë sesa fushata sensibilizuese.

Kështu u shpreh ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë prezantimit të një studimi mbi ndikimin e dezinformimit te grupmosha mbi 55 vjeç.

 “Nuk mjaftojnë vetëm spotet ndërgjegjësuese për brezin e tretë. Është e rëndësishme që ata të pajisen me aftësi për verifikimin e informacionit, në mënyrë që të jenë më të mbrojtur dhe të rezistojnë ndaj ndikimeve apo përpjekjeve të aktorëve të ndryshëm që synojnë të shtrembërojnë narrativat dhe të përhapin dezinformim”, tha ai.

Ambasadori solli në vëmendje edhe raste konkrete të fushatave të dezinformimit, duke përmendur atë që pasoi miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në ligjin për barazinë gjinore. Sipas tij, ky rast tregoi se si vlerat tradicionale, shqetësimet morale dhe teoritë konspirative mund të përdoren për të manipuluar opinionin publik dhe për të ndikuar në perceptimin e qytetarëve mbi të drejtat e tyre.

“Ky ishte një shembull se si dezinformimi mund të shfrytëzojë frikën, paragjykimet dhe pasiguritë për të krijuar ndarje në shoqëri dhe për të cenuar të drejta që duhet të garantohen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët”, u shpreh Gonzato.

Të dhënat e studimit tregojnë se televizioni mbetet burimi më i besuar i informacionit për moshat e treta në Shqipëri, ndërsa WhatsApp dhe Facebook janë platformat më të përdorura për komunikim.

Politika dhe shëndetësia rezultojnë fushat më të prekura nga dezinformimi.

“Një nga treguesit më interesant për ne ka qenë se 46.3% e të moshuarve nuk janë të sigurt nëse dezinformimi ka ndikuar në vendimet e tyre për shëndetin, financat apo mënyrën se si ata votojnë”, tha Koldiana Kapo, Drejtoreshë Ekzekutive e Faktoje.

Shumica e të moshuarve shprehin dëshirën për të mësuar më shumë se si të dallojnë informacionin e rremë nga ai i besueshëm.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme