Dhjetëra të plagosur në Ukrainë – Një rajon rus shpalli gjendjen e emergjencës nga sulmet ukrainase
Dhjetëra persona u plagosën në qytetin ukrainas të Harkivit pas sulmeve të fundit nga forca ruse. “Sulmet armiqësore ndaj Kharkiv rezultuan në 47 civilë të plagosur”, njoftoi policia e Harkivit, ndërsa guvernatori i këtij rajoni tha më herët se rreth 50 persona u plagosë nga dronët rusë përfshirë një vajzë 11-vjeçare. “Kanë shpërthyer zjarre. Godina banimi, infrastruktura civile dhe shuma makinat janë dëmtuar”- shtoi ai.
Pas sulmeve në Harkiv, presidenti ukrainas bëri thirrje për mbështetje më të fuqishme nga aleatët e shtetit të tij. “Ndërsa bota heziton të marrë vendime, pothuajse çdo natë Ukraina shndërrohet në ankth, duke humbur jetë njerëzish. Ukraina ka nevojë për forcim të mbrojtjes ajrore. Nga partnerët tanë kërkohen vendime reale dhe të forta”, tha Zelenski.
Sulmet e fundit erdhën disa orë pasi sulmet ruse në qytetin jugor të Zaporizhzhisë plagosën më shumë se 20 persona të premten. Harkivi ndodhet pranë kufirit rus dhe është sulmuar pa pushim gjatë gjithë pushtimit të Moskës. Nga pala ruse, guvernatori i rajonit Krasnodarit raportoi një sulm masiv nga forcat ukrainase.
“Pasojat më të rënda janë në Novorosijsk ku janë dëmtuar tre blloqe apartamentesh. Janë plagosur disa persona, mes tyre dy fëmijë” – tha ai, duke njoftuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Rusia dhe Ukraina vijojnë sulmet ndaj njëra-tjetrës, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara janë ulur në bisedime me të dyja palët në një përpjekje për t’i dhënë fund pushtimit tre-vjeçar të Moskës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




