Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Lidhjen e Biznesit të Kosovës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTI-Tiranë) nënshkroi sot (26 shkurt) një marrëveshje bashkëpunimi me Lidhjen e Biznesit të Kosovës (LBK), me qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Marrëveshja u firmos nga Kryetari i DHTI-Tiranë, Nikolin Jaka dhe Kryetari i LBK-së, Besart Dreshaj, të cilët theksuan se ky memorandum përbën një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi konkret dhe të qëndrueshëm mes komuniteteve të biznesit në të dy vendet.
Në fjalën e tij përpara delegacionit të bizneseve nga Kosova, Jaka vlerësoi progresin e arritur deri më tani në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, duke theksuar se ekziston ende hapësirë për të reduktuar burokracitë dhe për të lehtësuar më tej lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve. Ai nënvizoi rëndësinë e heqjes së barrierave fizike dhe administrative mes dy vendeve, si një domosdoshmëri për thellimin e integrimit ekonomik.
Nga ana e tij, Kryetari i LBK-së, Dreshaj, theksoi se është thelbësore që marrëveshjet e arritura në nivel politik të gjejnë zbatim konkret në praktikë, në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Ai vlerësoi trendin pozitiv të shkëmbimeve tregtare, duke shtuar se potenciali për rritje është edhe më i madh. Gjithashtu, ai theksoi nevojën për të mbështetur dhe promovuar produktet vendase, si një shprehje konkrete e partneritetit mes dy vendeve.
Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Jaka propozoi organizimin e forumeve të përbashkëta ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe ftoi bizneset kosovare të marrin pjesë në panairet dhe aktivitetet që organizon DHTI-Tiranë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




