Diabeti, mjekja: Zbulimi i hershëm dhe trajtimi mbrojnë funksionimin e veshkave

Shëndet | 2 muaj më parë

Diabeti është një nga faktorët që mund të ndikojë në shëndetin e veshkave. Nefrologja Dhurata Golemi shpjegon mënyrën se si nivelet e larta të sheqerit në gjak mund të dëmtojnë funksionin e veshkave me kalimin e kohës.

“Sot, fatkeqësisht, diabeti është shkaku kryesor i dëmtimit të veshkave. Një në tre diabetikë përfundojnë në hemodializë ose në terapinë zëvendësuese të funksionit të veshkave”, tha Dhurata Golemi, mjeke nefrologe.

Identifikimi në kohë i dëmtimit të veshkave është i rëndësishëm.

“Mjafton një analizë urine që bëhet këtyre pacientëve dhe konstatohet që ata fillojnë të kenë albuminuri, ulje e fuqisë trupore, një anemi, por shenja e parë është albumina në urinë ose ënjtja e këmbëve dhe zakonisht shfaqet mbas 10 viteve diabet. Një në tre pacientë me diabet të tipit dy mund të shfaqin dëmtimin e veshkës nga diabeti. Është një dëmtim kronik, një dëmtim që kur fillon nuk kthehet pas”, tha ajo.

Në menaxhimin e dëmtimit të veshkave mund të përfshihet edhe trajtimi medikamentoz.

“Është pasuruar farmakologjia me medikamente që jo vetëm mjekojnë diabetin, por njëkohësisht mbrojnë veshkën. Përdorimi i tyre mund ta vonojë progresionin e dëmtimit të veshkës deri në 10 vite”, nënvizoi mjekja.

Kontrolli i rregullt i diabetit dhe monitorimi i funksionit të veshkave mbeten të rëndësishme për të parandaluar ose ngadalësuar përparimin e dëmtimit të tyre.

Gazetare: B. Cina 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme