Kalimi kufitar në Gaza dhe Rafah i mbyllur deri te dielën, Hamasi mbetet i angazhuar për respektimin e marrëveshjes

Në Gaza tensionet mbeten dhe armëpushimi prej mëse një jave po vijon ndërsa Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të këmbejnë deklarata por edhe akuza ndaj njëri-tjetrit. Çështja e trupave të 19 pengjeve mbetet një çështje kryesore për izraelitët teksa Hamasi ka vënë theksin në angazhimin për të respektuar marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin dhe qëllimin për të kthyer trupat e pengjeve që kanë mbetur në Gaza.
Sipas medieve izraeliane, që citojnë deklaratën e grupit palestinez, procesi i kthimit të trupave mund të zgjasë, pasi disa prej tyre janë varrosur në tunele tashme të shkatërruar por edhe nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara. Por kjo deklaratë e Hamasit nuk është pritur mirë nga pala tjetër dhe Izraeli paralajmëroi se nëse Hamasi nuk kthen trupat do të rifillojë operacionet ushtarake në Gaza. Por situata në Gaza është gjithashtu e tensionuar edhe në lidhje edhe me ndihmat humanitare, ku siç shkruajnë mediat ndërkombëtare, kalimi kufitar në Rafah pritet të hapet ditën e dielë por vetëm për kalimin e njerëzve, e jo për kamionët.
Ndërkaq, kryeministri izraelit, Beniamin Netanyahu zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në lidhje me kthimin e trupave. Mediat në shtetin hebre, shkruajnë se biseda telefonike, Netanyahu-Trump ishte ‘’pozitive dhe e ngrohtë’’, teksa kryeministri izraelit e ka informuar shefin e Shtëpisë së Bardhë, mbi masat që synon të marrë në përgjigje të dorëzimit të vetëm 9 trupave nga Hamasi.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




