“Diplo 2025”, Balluku thirrje ambasadorëve: Kthehuni në promotorë të zhvillimit, gati për projektin e parkut eolik në Tropojë
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku në fjalën e saj në Konferencën e Ambasadorëve “Diplo 2025” i kërkoi trupit diplomatik shqiptar të kthehet në promotor të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ajo kërkoi gjithashtu nga ambasadorët që të bashkëpunojnë me ministritë e linjës për përthithjen e investitorëve të huaj në Shqipëri.
“Promovimi kërkon një organizim molekular, që s’mund të vijë thjesht nga trupi diplomatik e Ministria e Jashtme, por edhe nga ministritë sektoriale, që duhet të ushqejnë me informacion të vazhdueshëm trupin diplomatik për t’i kthyer ata në promotorë të zhvillimit ekonomik shqiptarë. Ju jeni sytë dhe veshët e Republikës së Shqipërisë kudo në botë. Duhet të ktheheni në partnerë të ministrive të linjës sa i përket sjelljes në Shqipëri të sa më shumë investimeve të huaja. Çdo investim i huaj është një hap më tej drejt konsolidimit të ekonomisë sonë drejt tregjeve ballkanike”, deklaroi Balluku.
Duke iu drejtuar konferencës nën moton “Shqipëria 2030: në Europë, e ndërlidhur me botën”, Balluku bëri me dije se muajt në vijim qeveria po përgatit projektin e prodhimit të energjisë nga era nëpërmjet parkut eolik të vendosur në zonën e Tropojës. Ajo e konsideroi një prej projekteve më të mëdha në Evropë.
“Ne jemi aty duke thënë se Shqipëria po punon, por jo për tranzicion të gjelbër, por për të diversifikuar portofolin e disa investimeve të gjelbra. Kemi shumë për të promovuar. Në muajt në vijim ne po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha në Evropë të prodhimit energjisë nga era përmes parkut eolik të vendosur në zonën e Tropojës, ku ka nisur procedura e financuar nga një prej kompanive më të mëdha amerikane, që do t’i shtojë kurorës sonë energjetike një tjetër komponent të gjelbër”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




