“Diplo 2025”, Kumbaro: Turizmi dhe mjedisi s’janë armiq. Turistët, ambasadorë “bio” që duhet t’i ruajmë
Në ditën e dytë të Konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2025”, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u ndal te dy portofolat që ajo drejton, duke theksuar se turizmi dhe mjedisi jo vetëm që nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, por përkundrazi, e plotësojnë njëri-tjetrin.
Sipas Kumbaros, kjo duhet promovuar edhe në opinionin publik, pasi pa mbrojtjen e mjedisit nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm. Po ashtu, Kumbaro theksoi se edhe profili i turistit të viteve të ardhshme po ndryshon, duke e bashkuar edhe më shumë turizmin dhe mjedisin.
“Nëse do t’i konsiderojmë turizmin dhe mjedisin si armiq, ato do bëhen edhe më armiq në opinion. Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm pa mbrojtjen e mjedisit, por nuk mund të kemi një turizëm që ikën nga njëri krah dhe mjedisin nga krahu tjetër. Kjo na është kthyer në instrument pozitiv për turizmin sepse të gjitha analizat po flasin për një profil të ri të turistit 10-20-30 viteve që vijnë. Do të jetë ai turist që do ketë një fuqi blerëse për të konsumuar turizëm si kënaqësi dhe ekonomia e kënaqësisë do jetë shumë e rëndësishme, çështja është si i qasemi. Nëse deri dje kërkohej hoteli me 5 ujë, ka apo jo internet, sot po shtohet a konsumon energji të e gjelbër apo fosile hoteli në fjalë, a mund të udhëtoj me tren apo makinë etj.. dhe Ministria e Turizmit po shkon ën këtë drejtim dhe ndaj kjo është një zgjedhje që, që në vitin 2017, qeveria shqiptare e bëri me një vizion shumë largpamës”, tha Kumbaro.
Ndalur te shifrat, Kumbaro tha se muaji gusht u mbyll me 9 milionë vizitorë të huaj në vendin tonë, 10% më shumë se viti i kaluar. Të huajt që vizitojnë Shqipërinë, sipas ministres, janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë, duke i cilësuar edhe si “ambasadorë bio”.
“Nëse në vitin 2019, që ishte viti më i mirë para pandemisë, ne mirëpritëm 6.5 mln vizitorë të huaj, e mbyllëm gushtin me gati 9 mln vizitorë dhe krahasuar me vitin e kaluar, gushti i këtij viti mirëpriti 10% më shumë vizitorë të huaj. Na ka rezultuar që ata janë të gjithë ambasadorë të mirë. Ata janë ambasadorë “bio”, të besueshëm sepse nuk paguhen, kanë paguar për përvojën e tyre në Shqipëri dhe sot turizmi ambasadorët i ka përmes atyre që vijnë në Shqipëri dhe detyra jonë është që atë produkt bio ta promovojmë dhe ta mbajmë gjatë gjithë kohës”, theksoi Kumbaro.
Nga trupa diplomatike shqiptare, Kumbaro kërkoi që të bëhet më shumë për shpërndarjen e informacionit për vendin tonë.
“Do kërkoja që punët të cilat bëjmë në Shqipëri, dhe pa të cilat turizmi nuk mund të rritet, shpërndarja e këtij informacioni nuk është çështje propagande. Gatishmëria jonë 24 orë për të ndarë çdo gjë, e dyta mesazhi për të dhënë sa më shumë informacion për vendin tonë. E kam për këtë edhe për ambasadorët që janë organizatat ndërkombëtare sepse një pjesë e madhe e punës sonë varet nga mënyra sesi bëhen ato raporte në organizatat ndërkombëtare, si përcillen rezolutat”, deklaroi Kumbaro.
Punimet e konferencës diplomatike “Diplo 2025” kanë nisur këtë të hënë (8 shtator) dhe do të zgjasin për 3 ditë. Në Tiranë janë mbledhur ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë, ndërsa diskutimet do të fokusohen në integrimin evropian të Shqipërisë dhe të rajonit, diplomacinë ekonomike, si edhe në çështjet e sigurisë rajonale e globale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




