Dita e Dëshmorëve- Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën në krye të detyrës

Në Akademinë e Sigurisë, me rastin e Ditës së Dëshmorëve, u zhvillua një ceremoni përkujtimore ku morën pjesë zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila, përfaqësues të institucioneve vendore, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye ose për shkak të detyrës.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe të organizatës së Policisë së Shtetit, shprehu mirënjohje për punën e punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në luftën kundër krimit. Ai premtoi përkrahje për familjarët e Dëshmorëve të Policisë dhe më shumë angazhim nga ana e Policisë, për të luftuar krimin, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë.
Zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila shprehu gjithashtu mirënjohje për veprën sublime të Dëshmorëve dhe në emër të Ministrisë së Brendshme, ofroi mbështetje për familjarët e punonjësve të Policisë që sakrifikuan jetën për sigurinë e kombit.
Gjatë ceremonisë mbajti fjalë dhe punonjësi i Policisë Maringlen Goçi, djali i njërit prej Dëshmorëve të Policisë, i cili ka vlerësuar mbështetjen e drejtuesve të Policisë dhe të kolegëve dhe në emër të të gjithë fëmijëve të Dëshmorëve, që aktualisht janë pjesë e Policisë, ka premtuar se me përkushtimin e tyre në detyrë do të bëjnë krenarë familjen e tyre dhe Policinë e Shtetit.
Ceremonia u mbyll me vendosjen e kurorave me lule në memorialin përkujtimor të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




