Dita e Punëtorëve, mbyllet sheshi “Taksim” në Stamboll, nuk lejohet zhvillimi i protestave më 1 Maj

Policia turke mbylli të martën sheshin qendror të Stambollit për të parandaluar çdo protestë të paralajmëruar për Ditën e Punëtorëve, ndërkohë që rreth tij janë ngritur barriera të larta metalike.
Ministri i Brendshëm Ali Jerlikaja tha se autoritetet kishin caktuar 40 zona për festimet e Ditës së 1 Majit, me përjashtim të sheshit emblematik “Taksim”. Ministri shtoi se disa sindikata kishin kërkuar përdorimin e sheshit, që ka qenë edhe epiqendra e protestave të vitit 2013 kundër qeverisë së presidentit Rexhep Tajip Erdogan, por këtë vit askush nuk do të lejohej. “Sheshi Taksim dhe rrethina e tij nuk mund të shfrytëzohen për asnjë lloj tubimi”, – u shpreh ai.
Partia kryesore opozitare e Turqisë, e cila doli fituese në zgjedhjet vendore të 31 marsit, i bëri presion qeverisë që të hapte sheshin për mitingjet e punëtorëve. Kreu i Partisë Popullore Republikane i bëri thirrje ministrit të Brendshëm që të rishqyrtojë vendimin për mbylljen e sheshit “Taksim”, i cili në të kaluarën është përdorur për protesta.
Ndërkohë organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International bëri thirrje që sheshi kryesor i Stambollit të hapet për tubime. Duke e quajtur atë zonë si një vend me rëndësi të madhe, Amnesty theksoi se për më shumë se një dekadë, autoritetet turke kanë kufizuar në mënyrë të paligjshme të drejtën e njerëzve për t’u grumbulluar ndërsa kanë kriminalizuar edhe protestat paqësore.
Më shumë se 42 mijë policë janë në detyrë në Stamboll më 1 Maj.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




