Dita e Trashëgimisë Kulturore – Paradë me veshje tradicionale të zonës dhe aktivitete promovuese në Lezhë
Me trashëgiminë e saj të pasur kulturore, historike dhe etnografike, Lezha u bë qendra e festimeve për “Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore”.
Nxënës të shkollave të qytetit dhe fshatrave, të veshur me kostume tradicionale, parakaluan në zonën arkeologjike, duke sjellë ngjyra dhe atmosferë festive.
“Ishte një ftesë e hapur, por që u pa që të gjitha shkollat e vendit jo vetëm që iu përgjigjen pozitivisht, por të gjitha kanë pasur vërtet një interes të madh për ta bërë akoma dhe më të madh këtë aktivitet, ndaj ju jeni nismëtarët e parë të një tradite që do të vazhdojë më tej në vitet në vijim” , tha drejtoresha e Kulturës, jona Dividi.
“Dua të bëj një falënderim të veçantë për të gjitha shkollat, drejtorët dhe mësuesit të cilët i kanë sjellë nxënësit të veshur kaq bukur. Duhet thënë që jemi ne të parët që duhet ta promovojmë këtë vlerë, ta përçojmë trashëgiminë kulturore në breza”, tha Eueda Molla, Nënkryetare e Bashkisë Lezhë.
Më pas, ata u ndalën pranë memorialit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ku u zhvillua aktiviteti promovues që vuri në pah vlerat historike, kulturore dhe turistike të Lezhës.
Aktivitete të tilla janë mënyra më e mirë për të promovuar dhe përcjellë trashëgiminë, thekson përgjegjësi i trashëgimisë kulturore, Paulin Zefi.
“Ky aktivitet i madh më të cilën kulmon kjo ditë, të bëhet pikërisht për të pasqyruar të gjitha veshjet e pasura, që kanë të gjitha trevat e Lezhës. Gjashtë veshjet kryesore që përfshihen brenda territorit të Lezhës, gjashtë areale etnokulturore të ndryshme”, tha Paulin Zefi, Përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë.
Ky aktivitet solli në vëmendje trashëgiminë e pasur të qytetit, duke e forcuar Lezhën si një destinacion kulturor me identitet të fortë kombëtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




