Dita e Verës, Elbasani epiqendra e festimeve. Kryebashkiaku Llatja: Sofra elbasallinjve e hapur për miqtë

Festimet e Ditës së Verës kanë përfshirë të gjithë vendin, por Elbasani mbahet si kryeqendra e kësaj feste pagane, ku kryefjale e festës dhe kulinarisë së elbasallinjve është ballokumja.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH tha se sot festimet do të arrijnë kulmin në qytet ku të gjithë elbasallnjtë e kanë sofrën e hapur për miqtë dhe të shijojnë koncertet e ekspozitat e shumta.
Festimet kanë nisur që me 4 mars në Elbasan, kur kryebashkiaku Llatja tha se prej 10 ditësh të gjitha hotelet janë të zëna.
“Kemi që më datë 4 mars që kemi nisur festimet dhe mbrëmjen e djeshme kulmuam me koncertin e madh dhe një sërë aktivitetesh. Sot është Dita e Verës, ku elbasallinjtë kryejnë ritet dhe traditat e tyre brenda shtëpisë që në mëngjes herët dhe me drekën që bëjnë me familjet e tyre. Dreka është familjare në Elbasan, kryesisht në natyrë. Sot janë përgatitur një serë aktivitetesh ku në orën 09.00 hapen panairet, ai i zejeve, i bujqësisë, ekspozitë pikture si dhe kemi sjellë të gjithë kampionët e Elbasanit në Pallatin e Sportit me një ekspozitë të fotove ndër vite. Në sheshin kryesor kemi dhe panairin e ballokumeve dhe traditë që del jashtë shtëpisë në shesh për të gjithë miqtë dhe vizitorët e Elbasanit. Sot do të gatuhet “ballokume live” ku nënat demonstrojnë secila mënyrën se si e kanë trashëguar nga familja mënyrën e bërjes së ballokumes. Kemi 10 ditë që të gjitha hotelet e Elbasanit janë të zëna të gjitha, shumë miq presim të vijën sot nga e gjithë Shqipërinë. Elbasani do të festojë me miq, sofra e Elbasanit është i hapur dhe ka vend për të gjithë”, tha Llatja.
Numri i qytetarëve dhe vizitorëve në Elbasan pritet të jetë tepër i madh, ku janë marrë edhe masa nga policia për mbarëvajtjen e të gjithë aktiviteteve. Elbasani pritet të vizitohet sot nga shumë personalitete ku urojnë shqiptarët për fillimin e një stine të gëzueshme plot diell, dritë e jetë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




