Dita Fushore e Misrit – Në Shkodër prezantohen 52 hibride, eventi mbledh fermerë e specialistë të veriut

Ekonomi | 1 vit më parë

52 hibride të farës së misrit, janë prezantuar në Shkodër nga Qendra Shkencore e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, në panairin e njohur si “Dita Fushore e Misrit”.

Në aktivitet morën pjesë fermerë, agronomë dhe specialistë të kulturës së misrit nga i gjithë veriu i vendit. Ky organizim i përvitshëm synon të njohë fermerët me llojet e reja të hibrideve dhe avantazhet që ato ofrojnë.

Sipas specialistëve, kërkesa e lartë për misër në rajon ka rritur ndjeshëm interesin e fermerëve për të shtuar sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë. 

“Kushtet e motit këtë vit, thatësira e tejzgjatur ka bërë që edhe Serbia si prodhuesi më i madh në rajon bashkë me Rumaninë dhe Bullgarinë janë defiçitarë. Kjo ka sjellë edhe atë që tregu sot është i uritur për misër dhe praktikisht janë duke e marrë tek ara e fshatarëve me 33 deri në 35 lekë për kilogram. Natyrisht për prodhuesin është një lajm shumë i mirë”, tha Kostandin Hajkola, Drejtor i Departamentit të QTTB Shkodër.

Përveç hibrideve të importuara, gjithnjë e më shumë po fitojnë vlerësim edhe varietetet autoktone, të cilat premtojnë prodhimtari më të lartë dhe përshtatje më të mirë me kushtet klimatike vendase.

“Ka ardhur koha të kthejmë vëmendjen nga varietetet autoktone që janë mjaft të përshtatshme me kushtet ekologjike të rajonit, të vendit dhe janë të testuara në katër zona të ndryshme sipas kushteve teknologjike”, tha Luiza Sallaku, Drejtore e Entit Shtetëror të Farave dhe Fidaneve.

Nga fermerët në Shkodër, kultivimi i misrit po shihet gjithnjë e më shumë me interes.

“Jam shumë i kënaqur nga prodhimi dhe fara që kam marrë. Është vetë zona ku banoj dhe pa e vaditur kam marrë deri në 10 kuintal. Kur vaditet, e kalon edhe 12 kuintal”, tha fermeri Preng Pllumi.

Aktualisht qarku i Shkodrës renditet ndër zonat me prodhimtarinë më të lartë në vend, me mbi 5 mijë hektarë tokë të mbjellë me këtë kulturë.

Gazetar: A.Hoti 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme