Dita Ndërkombëtare e Egjiptianëve, DPA çel ekspozitë mbi kulturën dhe identitetin e komunitetit

Kulturë | 4 muaj më parë

Dokumente origjinale që dëshmojnë historinë, traditat dhe përpjekjet për integrim të komunitetit egjiptian në Shqipëri janë bërë pjesë e një ekspozite të veçantë të çelur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Aktiviteti organizohet në kuadër të Javës Kulturore të Minoritetit Egjiptian dhe Ditës Ndërkombëtare të Egjiptianëve të Ballkanit, duke sjellë për publikun dëshmi të rralla arkivore që hedhin dritë mbi rrugëtimin historik të këtij komuniteti ndër vite.

Për herë të pare u ekspozuan dokumente që pasqyrojnë jo vetëm pasurinë kulturore dhe identitetin e komunitetit egjiptian, por edhe marrëdhënien e tij të hershme me shoqërinë shqiptare.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, vlerësoi kontributin e komunitetit egjiptian në shoqërinë shqiptare dhe theksoi se institucioni që ai drejton mbetet një derë e hapur për bashkëpunim dhe punësim për anëtarët e këtij komuniteti.

“Për çdo thirrje apo shpallje publike, do të përpiqem që të keni informacionin e duhur dhe mbështetjen e nevojshme, gjithmonë brenda kritereve të përcaktuara nga ligji. Gjithmonë do të më keni një mbështetës të fortë. Kjo nuk është një fjali rutinë mirëseardhjeje, por një qëndrim që e kam sinqerisht të ndjerë. Jam shumë i lumtur që organizojmë këtë veprimtari”, tha ai.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë të interesuarit, duke ofruar një mundësi të veçantë për të njohur më nga afër historinë, kulturën dhe kontributin e komunitetit egjiptian, një pjesë e rëndësishme e mozaikut kulturor dhe shoqëror të Ballkanit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme