Dita Ndërkombëtare e Tokës, mungojnë aktivitetet në kuadër të sensibilizimit për mjedisin
Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, një ditë që shërben për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, specialistët theksojnë se secili prej nesh ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e tij. Inxhinieri i mjedisit, Visar Mataj, shprehet se “përgjegjësia individuale mbetet thelbësore për një mjedis më të pastër”.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit vihet re një mungesë e aktiviteteve të organizuara në kuadër të kësaj dite. Sipas Matajt, nxitja dhe motivimi i qytetarëve për t’u angazhuar në aktivitete mjedisore janë të domosdoshme.
“Vite më parë janë marrë edhe veprime të tilla, ka pasur më shumë grupe vullnetare. Por tani shohim që ka mungesë ndërgjegjësimi te banorët e komunitetit, ku vihet re një mungesë optimizmi se mund të bëjnë diçka”, tha ai.
Sa i përket situatës në Kukës, ai thekson se të rinjtë kanë nevojë për më shumë sensibilizim, pasi vërehet pakujdesi në hedhjen e mbetjeve, veçanërisht të ambalazheve të produkteve që konsumojnë, të cilat shpesh nuk depozitohen në vendet e përcaktuara. Ndërkohë, në zonat turistike situata paraqitet më e menaxhueshme.
Në zonën e Kukësit, mosha madhore është më e ndërgjegjësuar, por nëse flasim për pjesën e rinisë, ata kanë nevojë për më shumë sensibilizim.Në fund, ai përcjell një mesazh për të gjithë qytetarët që të kujdesen për tokën dhe ta mbrojnë atë si një pasuri të përbashkët.
Në një kohë kur sfidat mjedisore janë gjithnjë e më të pranishme, Dita e Tokës shërben si një kujtesë se përgjegjësia për ta mbrojtur mjedisin nuk është vetëm institucionale, por edhe individuale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



