“Ditë e trishtë për Europën”, qeveria franceze kritikon marrëveshjen tregtare SHBA–BE. Orban: Trump “e hëngri për mëngjes” Von der Leyen

Amerikë | 1 vit më parë

Kryeministri francez François Bayrou bashkë me disa prej anëtarëve të kabinetit të tij e vlerësojnë si një “nënshtrim” marrëveshjen tregtare të arritur një ditë më parë mes SHBA-së dhe BE-së.

Pakti u konsiderua si një marrëveshje e mirë nga presidentët përkatës, Donald Trump dhe shefja e KE-së, Ursula von der Leyen, por brenda pak orëve mori edhe kritika. Marrëveshja pritet të diskutohet nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

“Është një ditë e trishtë kur aleanca e popujve të lirë, e krijuar bashkërisht për të afirmuar vlerat e përbashkëta dhe për të mbrojtur interesat e përbashkët, dorëzohet duke u nënshtruar,” shkroi kryeministri Bayrou në rrjetin social “X”.

Kritikave të tij iu bashkuan edhe ministrat francezë për Çështjet Europiane dhe për Industrinë.

“Marrëveshja tregtare e negociuar nga Komisioni Europian me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sjellë stabilitet të përkohshëm për aktorët ekonomikë të kërcënuar nga përshkallëzimi i tarifave amerikane, por është e zhbalancuar,” shkroi ministri për Çështjet Europiane, Benjamin Haddad. Ndërkohë, homologu i tij për Industrinë, Marc Ferracci, shtoi se do të duhen disa jave apo muaj bisedime përpara se marrëveshja të mbyllet formalisht. “Ky nuk është fundi i historisë,” deklaroi z. Ferracci për radion RTL, duke shtuar se raportet tregtare të BE-së me SHBA-në duhen balancuar më tej.

Në bazë të marrëveshjes së shpallur ditën e diel, SHBA-ja do të aplikojë një tarifë të përgjithshme 15 për qind mbi importet nga BE-ja, ndërsa si SHBA-ja, edhe BE-ja do të kenë edhe disa përjashtime për produkte të caktuara. Presidenti Trump kishte kërcënuar se tarifa do të rritej në 30 për qind nga 1 gushti nëse palët nuk do të pajtoheshin për pikat e paktit.

Gjermania, Italia dhe Irlanda e kanë mirëpritur marrëveshjen e re tregtare me SHBA-në. Kryeministri holandez Dick Schoof u shpreh se heqja tërësisht e tarifave do të kishte qenë më e mirë, megjithatë pakti i ri “do të sjellë stabilitet në treg”.

Ndërkohë, kryeministri hungarez Viktor Orban, e konsideroi marrëveshjen-kornizë SHBA–BE më të keqe sesa ajo e arritur më herët nga Uashingtoni me Britaninë e Madhe.

“Donald Trump nuk arriti një marrëveshje me Ursula von der Leyen, por Donald Trump ‘e hëngri për mëngjes’ Ursula von der Leyen,” deklaroi z. Orban.

Prodhuesit gjermanë të makinave kërkojnë lehtësim të “barrës tarifore”

Industria gjermane e automobilave e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes tregtare SHBA–BE, por ka paralajmëruar se tarifat do të vazhdojnë t’i mbajnë nën presion prodhuesit vendas.

“Është gjë e mirë që e shmangëm një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit tregtar. Por një gjë është e qartë: tarifa amerikane prej 15%, edhe për produktet për makinat, do i kushtojë industrisë gjermane të makinave miliarda lekë çdo vit dhe do i rëndojë prodhuesit që janë duke u transformuar,” tha Hildegard Müller, president i Shoqatës Gjermane të Industrisë së Makinave (VDA).

Trump ka deklaruar se BE-ja ka rënë dakord për të investuar 600 miliardë dollarë në SHBA dhe se do të blejë rreth 750 miliardë produkte amerikane për energjinë. Sipas z. Müller, edhe BE-ja duhet në mënyrë urgjente që të përmirësojë klimën për investitorët dhe bizneset për të qenë më konkurruese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme