“Do kisha spastruar etnikisht shqiptarët”! Nufi dënon deklaratën e ministres serbe: Skandaloze! Është në nderin e Serbisë të distancohet prej saj
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila, duke folur për Kosovën, u shpreh se nëse do të kishte qenë në krye të shtetit në vitin 1998, do t’i kishte “spastruar etnikisht shqiptarët”.
Nufi e cilësoi deklaratën skandaloze dhe të papranueshme, duke theksuar se çdo relativizim apo referencë ndaj spastrimit etnik dhe krimeve të kryera gjatë luftërave në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë është i papranueshëm dhe cenon kujtesën e viktimave.
Nufi tha se qeveria serbe duhet të distancohet prej këtyre deklaratave dhe ta denoncojë atë ministre, retorikat e të cilës nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë.
“Deklarata është skandaloze, e papranueshme dhe çdo koment tjetër është i pavend. Ajo deklaratë është dënuar edhe në Serbi, nga ata që nuk bëjnë pjesë te ultranacionalistët, të cilët kanë shprehur reagimin e tyre. Çdo deklaratë që lidhet me spastrimin etnik apo me një periudhë mjaft të errët të asaj që ka ndodhur në Kosovë apo në Bosnje e Hercegovinë është e papranueshme. Është në nderin e atyre që e kanë në krah atë ministre serbe që ta denoncojnë dhe të distancohen prej saj”, tha Nufi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




