Dosja e Gërdecit, GJKKO refuzon kërkesën e Fatmir Mediut për ekspertimin e faksit
GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për kryerjen e një ekspertimi mbi shënimin “Për Shkëlzenin”, i cili ndodhet në një fax të paraqitur si provë nga SPAK në procesin gjyqësor për dosjen e Gërdecit. Bëhet fjalë për një shkresë të dërguar në atë kohë nga ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, drejt Ministrisë së Mbrojtjes, që lidhej me hapjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Në dokument është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha. Mediu dhe Bumçi pretendojnë se kjo shkresë është e falsifikuar.
Avokatët e Mediut ngritën gjithashtu pretendime se një sërë aktesh të referuara nga prokurorët në gjykim nuk iu janë vënë në dispozicion nga gjykata, çka solli shtyrjen e seancës për në datën 10 shkurt.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK janë shkelur procedurat ligjore për ndërtimin e fabrikës pranë një zone të banuar dhe për administrimin e municioneve.
Procesi gjyqësor ndaj tij vijon prej prillit 2023, ndërsa çështja u rihap pas 12 vitesh me nismën e familjes Durda, një prej familjeve të viktimave të shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




