Dosja “Revanshi”/ GJKKO dënon 7 të pandehur, ja vendimi për Bamin, Krajën dhe të tjerët

GJKKO ka dhënë vendimin për shtatë të pandehurit e dosjes “Revanshi”, një prej hetimeve të SPAK për veprimtarinë e grupeve të strukturuara kriminale. Dënimi më i lartë është dhënë për Durim Bamin, me 10 vite e 8 muaj burgim, ndërsa në total gjykata ka dhënë rreth 50 vite burgim për shtatë të pandehurit.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin për Jozi Krajën, Aldo Avdylin, Oltion Zefin, Edson Jozwikun, Henerigert Mitrin, Durim Bamin dhe Altin Morinën.
Vendimi është dhënë këtë të martë (15 shtator), pas një procesi që u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në vendimin e saj, gjykata i ka shpallur fajtorë të shtatë të pandehurit për vepra të ndryshme penale, ndërsa për një nga akuzat ndaj Durim Bamit ka dhënë pafajësi.
Durim Bami është dënuar me 10 vite e 8 muaj burgim. Gjykata e shpalli fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit A.N., në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ai u shpall gjithashtu fajtor për krijimin, drejtimin apo organizimin e grupit të strukturuar kriminal në lidhje me veprat penale kundër jetës, si dhe për kultivim të bimëve narkotike.
Pas bashkimit të dënimeve, Bami u dënua me 16 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u ul në 10 vite e 8 muaj burgim.
Për një tjetër akuzë, atë të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasve T.Xh. dhe E.M., Bami u shpall i pafajshëm.
Jozi Kraja dhe Aldo Avdyli, alias Elidon Avdyli, janë dënuar secili me 4 vite e 8 muaj burgim.
Të dy u shpallën fajtorë për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasve D.B. dhe V.B., në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Ata u shpallën gjithashtu fajtorë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Dënimet e përcaktuara nga gjykata janë:
Durim Bami – 10 vite e 8 muaj burgim
Oltion Zefi – 10 vite burgim
Edson Jozwik – 8 vite burgim
Altin Morina – 6 vite e 8 muaj burgim
Henerigert Mitri – 5 vite e 4 muaj burgim
Jozi Kraja – 4 vite e 8 muaj burgim
Aldo Avdyli – 4 vite e 8 muaj burgim
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




