Dosja “Toyota Yaris”-SPAK jep pretencën për ish-kryeprokurorin e Vlorës, kërkon 4 vite burg
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënimin me 4 vite burg për ish-drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës për dosjen e “Toyota Yaris”.
Në seancën e së martës vetë Zarka nuk ishte i pranishëm por përfaqësohej nga avokati ndërsa prokurori i SPAK Klodian Braho në leximin e kërkesës për gjykim është shprehur se “nga hetimet ka rezultuar se Aurel Zarka ka qenë një nga përdoruesit e Sky Eç, që mundësonte komunikime të fshehta. Ka rezultuar e provuar se ka kërkuar vlera monetare për një çështje në Prokurorinë e Vlorës”
“Është provuar se ka kërkuar vlera monetare për favorizimin e një tjetër çështje, në bashkëpunim me Radovan Çela. Oficerja e policisë gjyqësore Daupaj mori 10 mijë euro në mënyrë që të ushtronin ndikim te Elisabeta Imeraj për të zbutur masën e sigurisë. Astrit dhe Radovan Çela i kanë dhënë 50 mijë euro Erjona Daupajt për tia dhënë shtetases Elisabeta Imeraj që të ndikonte më pas te punonjës të gjykatës së Tiranës”, ka theksuar prokurori Klodian Braho.
Nisur nga rrethanat dhe faktet e përmendura më lart, SPAK ka kërkuar që Zarka të shpallet fajtor për veprat penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim , “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Ndërkohë lidhur me këtë dosje vijojnë hetimet në një procedim tjetër të ndarë ku SPAK po heton persona dhe episode të tjera korrupsioni dhe ushtrimi të ndikimit të paligjshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




