Drejt fundit aksi Maliq-Lozhan-Strelcë, rritet siguria e shkurtohet koha e udhëtimit

Aktualitet | 1 vit më parë

Rruga Maliq – Lozhan – Strelcë, një ndër akset rrugore të pakta kombëtare që nuk kishte pësuar rikonstruksion prej vitesh, po shkon drejt përfundimit, ndërsa në pjesën më të madhe të këtij aksi ofrohet një udhëtim komod e i sigurt për banorët e zonës, por edhe për vizitorët që do të mund të shijojnë natyrën e pasur të zonës.

Aktualisht punohet vetëm në segmentin e quajtur Tre Urat në Lozhan, aty ku është duke u ndërtuar një vepër arti duke rehabilituar urën kryesore që lidh Maliqin më Moglicën e Gramshin.

Sipas kryebashkiakut të Maliqit Gëzim Topçiu, me përfundimin edhe të kësaj vepre, i gjithë aksi do të jetë i qarkullueshëm normalisht në rrugën e rikonstruktuar.

“Po punohet në Tre Urat dhe po bëhet një investim shumë i konsiderueshëm për rehabilitimin e  urës kryesore që lidh Maliqin me Moglicën, Gramshin, Korçën. Brenda 2 -3 ditës hidhet shtresa e asfaltit dhe së shpejti përfundon kjo rrugë e rëndësishme që i jep një imazh tjetër të gjithë zonës”, u shpreh Topçiu.

Ky investim, i realizuar me një vlerë prej 1,4 miliardë lekësh nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm në infrastrukturën rrugore dhe ka shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit, duke e reduktuar nga 1 orë që ishte më parë në vetëm 20 minuta.

Ky projekt është i rëndësishëm jo vetëm për përmirësimin e kushteve të udhëtimit, por edhe për rritjen e sigurisë rrugore dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Për Bashkinë e Maliqit, ky investim është më i madhi në zonën e Gorë – Oparit, duke i dhënë fund njëherë e mirë shqetësimeve të shumta për kushtet e këqija të rrugës që e lidhte këtë zonë me qytetet e tjera.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme