Droga fshihej mes makaronave, si u kap tentativa për futjen e kokainës dhe hashashit në burg

Aktualitet | 2 muaj më parë
Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni në Burgun 313 në Tiranë, ku u zbulua një sasi e dyshuar lënde narkotike e fshehur në ushqime. Hetimet kishin nisur rreth 15 ditë më parë, pas regjistrimit të një bisede të të paraburgosurit Oltjon Asllani, i cili, sipas burimeve, shfaqej i gëzuar teksa fliste për një ushqim special që pritej t’i sillte një familjar në qeli.

Kjo bisedë ngriti dyshimet e autoriteteve, të cilat nisën të verifikonin me kujdes kontaktet dhe personat që u sillnin ushqime të paraburgosurve. Dyshimet u konkretizuan gjatë kontrollit, kur në institucion u paraqit familjari i tij, Seit Xhamet, me ushqime dhe veshmbathje për Asllanin.

Mes ushqimeve kishte edhe makarona në formë tubi, brenda të cilave u zbuluan lëndët narkotike. Kokaina ishte vendosur në paketime që ngjanin me guaska, ndërsa kanabisi në forma që ngjanin me karkaleca, duke u përzier me ushqimin.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 17 porcione të dyshuara kokainë dhe 13 porcione të dyshuara hashash.

Familjari që kishte sjellë ushqimin u arrestua në flagrancë për futjen e sendeve të ndaluara në institucion. Ai ka pretenduar se nuk kishte dijeni për drogën e fshehur në ushqime. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën dhe personat e përfshirë.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme