Dronët alarmojnë Belgjikën dhe Holandën, fluturime të pezulluara dhe hetime pranë centraleve bërthamore e bazave të NATO-s
Dronë me origjinë ende të panjohur kanë shkaktuar sërish shqetësim në Belgjikë, pasi janë vërejtur mbi aeroporte dhe një central bërthamor.
Aeroporti i Liège-it u detyrua të ndërpresë për gati një orë fluturimet, pasi disa dronë u vunë re mbi pistë. Ky aeroport është një nga më të mëdhenjtë e mallrave në Europë dhe ngjarja solli vonesa të shumta në trafikun ajror.
Pak më vonë, tre dronë u panë edhe mbi termocentralin bërthamor Doel pranë Antëerpit, por autoritetet thanë se nuk pati ndërprerje të punës.
Një zëdhënës i centralit theksoi se punonjësit janë në gatishmëri të lartë dhe po ndjekin nga afër situatën. Pas këtyre rasteve, Gjermania ka vënë në dispozicion trupa dhe pajisje për të ndihmuar Belgjikën në mbrojtjen nga dronët.
Edhe Mbretëria e Bashkuar i është bashkuar operacionit, duke dërguar personel ushtarak dhe pajisje kundërdronësh.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se kjo është pjesë e përpjekjeve për mbrojtjen e përbashkët të infrastrukturës kritike. Hetime për dronët janë hapur edhe në Holandë, ku janë raportuar objekte fluturuese mbi provincën jugore Limburg.
Autoritetet holandeze kanë kontrolluar zonat pranë bazës së NATO-s në Brunssum, kompleksit industrial “Chemelot” dhe aeroportit “Maastricht Aachen”.
Policia thotë se shumica e rasteve lidhen me dronë hobistësh, por mbeten në gatishmëri të plotë. Kohët e fundit, incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe në aeroportet e Brukselit, Antëverpit dhe Liège-it, duke shtuar shqetësimet për sigurinë ajrore në rajon.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




