Dropull, festat fetare bashkojnë njerëzit, pjesëmarrje masive në Terihat dhe Likomil
Fundi i korrikut shënon gërshetimin e traditës me besimin fetar në Dropull. Banorët e shumtë, por edhe ata që kthehen nga emigracioni, shfrytëzojnë momentet për t’u çmallur me njerëzit dhe të afërmit.
Festa popullore në Terihat zgjati deri natën vonë, duke u dhënë mundësinë banorëve nga të gjitha fshatrat e Dropullit të shpalosin virtytet e mikpritjes dhe të dashurisë për vendlindjen.
Ndërsa festa e Shën Pandeleimonit në Likomil ringjall ndjenja nostalgjie.
Prandaj edhe banorët shprehen me nostalgji për këtë takim popullor:
“Kjo është një gjallëri që po ndodh vitet e fundit, por edhe në fshatin tonë. Shikoni tani se sa njerëz ka, sa zemra janë mbushur me dashuri. Dashuria për njëri-tjetrin, dashuria për krahinën, dashuria për ortodoksinë, sepse ne vetë jemi ortodoksë. Patjetër që takohemi me njëri-tjetrin, çmallemi, ndajmë kujtime e ndjenja, dhe kjo nuk është thjesht një gjë e mirë, por një gjë jashtëzakonisht e mirë.”
“Njerëzit ndjejnë kënaqësi sepse bashkohen me njëri-tjetrin. E para është pikërisht kjo: bashkimi mes tyre. Bashkohen të afërmit, bashkohen fshatarët, bashkëfshatarët, gjithë të afërmit që vijnë. Tani është koha më e mirë, koha e festave, koha më e bukur për të gjithë emigrantët që kthehen, por edhe për ne që jetojmë këtu. Ky bashkim sjell gëzim, sjell dashuri dhe e bën komunitetin tonë më të fortë”, u shpreh një prej banorëve.
Festat tradicionale në Dropull do të vazhdojnë në muajin që vjen, kryesisht prej datës 6 deri në datën 18 gusht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




