Duhet t’i japim fund kësaj lufte – Zelensky flet për një takim të mundshëm me Putinin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pala ruse ka nisur diskutimet për një takim të mundshëm mes tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Ai theksoi se është e domosdoshme që lufta të përfundojë dhe sugjeroi se një takim mes liderëve mund të sjellë një kthesë në konflikt. Sipas Zelensky-t, ky hap mund të jetë fillimi i rrugës drejt paqes.
Gjatë një konference me gazetarët, ai theksoi se çështja është tashmë pjesë e bisedimeve dypalëshe. Në një tjetër zhvillim, Zelensky tha se Ukraina po punon për të siguruar fonde për të blerë dhjetë sisteme mbrojtëse ajrore Patriot.
Ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i shesin këto sisteme, ndërsa Ukraina duhet të mbulojë kostot. Tre prej tyre tashmë janë të financuara dy nga Gjermania dhe një nga Norvegjia. Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka kundërshtuar ndihmën e madhe financiare për Ukrainën, por ka përkrahur shitjen e armëve përmes vendeve aleate të NATO-s.
Zelensky shtoi se është arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për shitjen e dronëve ukrainas në vlerë prej 10 deri në 30 miliardë dollarë. Ai theksoi se marrëveshja është aktive dhe se bashkëpunimi me SHBA-të po vazhdon. Konflikti në Ukrainë nisi më 24 shkurt 2022, dhe që atëherë ka shkaktuar mijëra viktima. Rusia e quan luftën një “operacion ushtarak special”, ndërsa Perëndimi është përgjigjur me sanksione ekonomike të forta.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



