Durrës, shëtitorja “Taulantia” mirëpret panairin “Taverna e Adriatikut”
Mbrëmjen e djeshme, shetitorja “Taulantia” në Durrës hapi siparin e panairit “Taverna e Adriatikut”, duke sjellë aromë gatimesh tradicionale dhe muzikë festive.
Aktiviteti, që do të zgjasë tre net, synon të promovojë kulinarinë dhe artizanatin vendas, duke u kthyer në një pikë takimi për qytetarë dhe turistë.
Vizitorët patën mundësi të shijojnë produkte të përgatitura nga prodhues lokalë dhe të njihen me punime artizanale nga mjeshtra të zonave të ndryshme të vendit.
Pjesëmarrësit vlerësojnë faktin që mbajtja e këtij panairi po kthehet në traditë dhe u jep mundësi të prezantojnë punën e tyre.
Përfaqësues të bashkisë theksuan rëndësinë e mbështetjes së prodhuesve e artizanëve vendas dhe rikthimin e qytetit si një qendër të gjallë turistike e kulturore.
“Këtë vit sjell një risi në fakt pasi kemi menduar të bashkojmë shijen me traditën. Kemi shumë punime prej artizanëve lokalë, jo më larg se nga këtu ku jemi tani. Ideja është që të sillnim në vëmendje të gjithë ata artizanë të cilët bëjnë punime të realizuara me dorë që së fundmi janë shumë të kërkuar nga turistët, por duke pasur parasysh edhe elementët e trashëgimisë kulturore”, tha Floreta Kërtusha, përfaqësuese e zyrës së turizmit në Bashkinë Durrës.
Panairi do të vijojë edhe dy netët e ardhshme, duke ofruar përvojë të pasur gastronomike dhe artistike për pushuesit dhe banorët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




