Dy zjarre në Durrës, flakët përfshijnë banesa të braktisura pranë Amfiteatrit dhe kishës Shën Lucia
Dy vatra zjarri janë regjistruar pasditen e kësaj të premteje në qytetin e Durrësit, duke përfshirë dy banesa të vjetra në lagjen nr. 3.
Banesat e përfshira nga flakët ishin të pabanuara dhe në to nuk jetonte askush. Njëri prej zjarreve ra në afërsi të kishës Shën Lucia, ndërsa tjetri pranë Amfiteatrit të Durrësit.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën disa mjete të repartit zjarrfikës, të cilat ndërhynë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ku u bë e mundur të parandalohej përhapja e zjarrit drejt banesave të tjera në zonë.
Nga informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Shkaqet e rënies së zjarreve nuk dihen ende dhe pritet të zbardhen nga hetimet e autoriteteve kompetente.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




