“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Rama: Kredi me interesa 2-3% për bizneset e vogla dhe të mesme, qeveria garanton deri në 70% të riskut
Qeveria shqiptare së bashku me sistemin bankar dhe sipërmarrjet shqiptare kanë nënshkruar nëj partneritet të ri lidhur me financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për Programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes bankave të nivelit të dytë dhe Bankës Europiane të Investimeve për të zgjeruar mbështetjen financiare ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat i cilësoi si “motori i ekonomisë shqiptare”.
Sipas kryeministrit, programi synon të ndihmojë sipërmarrjet që kanë potencial zhvillimi, por që deri më tani janë përballur me vështirësi në sigurimin e financimeve të përballueshme.
“Bankat e nivelit të dytë duhet të bashkëpunojnë me Bankën Europiane të Investimeve, si në marrëveshjen që lidhëm dje, në mënyrë që të zgjerohet ky bashkëpunim, pasi është një marrëveshje që shkon drejtpërdrejt në të njëjtin shtrat me marrëveshjen e sotme për të financuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që janë motori i ekonomisë tonë dhe kanë potencial të jashtëzakonshëm. Kam parë një sërë ndërmarrjesh të vogla që, bazuar në eksperiencën e shqiptarëve të kthyer nga emigracioni, bazuar në shpirtin inovativ dhe vullnetin për të bërë diçka domethënëse në komunitet dhe për të punësuar familjen dhe njerëzit përreth, kanë qenë eksperienca të jashtëzakonshme. Ndërkohë, eksperienca që më kanë treguar qartësisht se me një mbështetje financiare të arsyeshme të atyre ndërmarrjeve, ato mund të rriten dhe të sjellin të reja kuptimplota për ekonominë tonë. Problemi i tyre ka qenë financimi i aksesueshëm dhe i arsyeshëm, në pamundësi për të marrë kredi normale, të cilat nuk mund t’i përballojnë për të hedhur hapin tjetër, dhe kështu ka lindur edhe ky projekt, që fillimisht ishte i dedikuar për bujqësinë dhe sot është një projekt që është kthyer në një program shumë serioz mbështetjeje të qeverisë për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Kjo është një derë për të dyfishuar ndërmarrjen tuaj”, u shpreh Rama.
Rama nënvizoi gjithashtu rritjen e kreditimit në vend gjatë viteve të fundit. Sipas tij, pesë vite më parë niveli i kredisë ishte rreth 5 miliardë euro, ndërsa sot ka arritur në 10 miliardë euro, çka sipas Ramës tregon një ekonomi më të shëndetshme dhe me potencial për rritje të mëtejshme.
Në kuadër të programit të ri, bizneset e vogla dhe të mesme do të kenë akses në një linjë kredie me interesa nga 2 deri në 3 %, të mbështetur nga një garanci sovrane e qeverisë që do të mbulojë nga 30 deri në 70 % të riskut, në varësi të profilit të huamarrësit.
Rama shtoi se do të krijohet edhe një fond garancie për hartimin e planeve të biznesit, me synim lehtësimin e marrëdhënieve mes sipërmarrjeve dhe bankave.
“5 vite më parë kredia në vend ka qenë rreth 5 mld euro, sot kredia është 10 mld euro. Jemi në një dyfishim të kapaciteteve financuese të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë, që tregon se ekonomia është në gjendje të shëndetshme dhe me potencial rritjeje të mëtejshme. Kreditë e këqija kanë rënë në nivele të papërfillshme, kur një dekadë më parë ishin thuajse 25 %. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të vihet në dispozicion një linjë kredie me një interes minimal 2 % dhe maksimal 3 %, e shoqëruar me një garanci sovrane të qeverisë për të ulur riskun e kredisë për bankat. Një garanci sovrane që varion nga 30-70 % sipas nivelit të riskut. Bankat duhet të jenë kurajoze edhe në raport me bujqësinë, ku niveli i riskut është i lartë. Dhe një fond garancie, që do të shërbejë për të hartuar planet e biznesit, do të vijë si vlerë e shtuar në lehtësimin e marrëdhënies mes subjekteve dhe bankave. Ky grant do të administrohet në mënyrë të koordinuar që të kuptojmë se çfarë ka më shumë për të mësuar në këtë proces”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




