“E jashtëzakonshme”, Anila Basha për rikthimin e Festivalit të Pranverës: Bashkon brezat dhe rikthen emocionet e dikurshme

Gazetarja Anila Basha, e pranishme në tapetin e kuq të Festivalit të Pranverës, vlerësoi rikthimin e këtij eventi pas 22 vitesh, duke e cilësuar si një nismë që sjell emocione, nostalgji dhe energji pozitive për publikun.
Ajo shprehu vlerësimin për punën e Radio Televizioni Shqiptar, duke theksuar se pas suksesit të festivalit qëndron një angazhim i madh profesional dhe njerëzor.
Duke folur për ndikimin e festivaleve në shoqëri, Basha tha se aktivitete të tilla krijojnë gjallëri dhe i japin kryeqytetit një atmosferë të veçantë. Sipas saj, Tirana ka qenë e mbushur me dinamika të ndryshme, nga Festivali i Pranverës te protestat qytetare, aktivitetet sportive dhe garat automobilistike, duke reflektuar energjinë dhe diversitetin e jetës publike.
“Unë u emocionova me gjithë këtë risi që po sjell RTSH. Tani jam afeksionuar me gjithçka që ju bëni, jo vetëm me festivalin, por edhe me RTSH. Duhet të shohim përmbajtjen, brendinë, mënyrën se si punohet, angazhimin, energjitë që ju shpenzoni dhe ju lumtë, bëni një punë të jashtëzakonshme! Është e bukur, e gjithë situata është e jashtëzakonshme. Tirana dje kishte dinamika të ndryshme. Ti argëtohesh në kryeqytet, asnjëherë nuk ke një gjë të mërzitshme. Këtu kishte njerëz të veshur shumë bukur që hynin në natën e parë të festivalit, diku më tutje protestohej, prapë me njerëz shumë të bukur. Diku më tutje, afër stadiumit ishin të gjithë tifozët të veshur me ngjyrat kuqezi. Tek ish-stadiumi Dinamo kishte Rally Albania. Çdo gjë në vendin tonë të krijon emocionin e gjallërisë, rinisë, kujtesës, energjisë”, tha Basha për Migena Krajën.
Gazetarja nënvizoi se rikthimi i Festivalit të Pranverës ka një vlerë të veçantë pasi krijon një urë lidhëse mes brezave.
“Duke u kthyer te Festivali është një gjë e jashtëzakonshme kjo lloj risie e këtyre viteve të pas ’90. Jemi mësuar me festivalet e para ’90 që mezi i prisnim. Ishte një dritare e jashtëzakonshme argëtimi. Pas festivaleve, bënim mikrofonët dhe këndonim këngët e tyre. Përtej gjithë të këqijave që kishte ajo kohë, emocioni që na sillte me aktivitete të tilla ishte i jashtëzakonshëm. Ky festival dhe ky rikthim duket sikur i përputh tashmë brezat. Nostalgjikët duan të kthehen te nostalgjia e viteve të dikurshme për çështjen e kulturës dhe aktiviteteve, ne që e kemi përjetuar në një dimension dhe atë kohë dhe këtë kohë duam të shikojmë përputhshmërinë dhe ndryshimet dhe brezi i ri duhet të njihet me atë çfarë është bërë përpara”, tha ajo.
Basha kujtoi gjithashtu eksperiencën e saj personale me festivalet, duke treguar se në rininë e saj ka fituar çmimin e parë në një festival në Lushnjë si pjesë e një dueti muzikor.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




