EBU: Pavarësia editoriale është bërthama e një mediaje publike

Aktualitet | 1 orë më parë

Drejtuesja e EBU për Marrëdhëniet me Anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore, Radka Betcheva ka theksuar rëndësinë e pavarësisë editoriale, redaksionale dhe organizative të Radio Televizionit Shqiptar, gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, në mbledhjen e përbashkët me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Në kuadër të bashkëpunimit mes RTSH-së dhe EBU-së për reformën dhe transformimin institucional të transmetuesit publik, Betcheva e cilësoi pavarësinë redaksionale si elementin themelor të një mediaje publike. Sipas saj, reforma e transmetuesit publik duhet të nisë nga nevojat dhe pritshmëritë e audiencës, përpara se të përcaktohen strukturat dhe organizimi i institucionit.

“Pavarësia redaksionale: kjo është bërthama e një mediaje publike. Në një kohë kur kemi kaq shumë informacion, dezinformim nga media të tjera dhe, fatkeqësisht, propagandë, mendoj që RTSH të transmetojë besim dhe ne ta mbështesim RTSH-në në këtë drejtim. Ne fillojmë me audiencën, çfarë kërkon dhe çfarë pret audienca dhe më pas përcaktojmë strukturën, personelin, çdo gjë që është e nevojshme për t’iu shërbyer kërkesave të audiencës”, u shpreh ajo.

Betcheva theksoi se besimi i publikut ndaj RTSH-së lidhet drejtpërdrejt me garantimin e pavarësisë, jo vetëm në aspektin editorial dhe redaksional, por edhe në atë organizativ.

“Nëse duhet të ketë mirëbesim në transmetim, që besoj se të gjithë do ta kërkojnë këtë, nuk do të kishte vetëm pavarësi editoriale, redaksionale, por dhe organizative në RTSH. Prandaj mbarëvajtja e punës duhet të organizohet në atë mënyrë që të garantohet pavarësia”, deklaroi përfaqësuesja e EBU-së.

Në vijim, Betcheva nënvizoi rëndësinë e përfaqësimit të të gjitha zërave politikë në transmetuesin publik, veçanërisht gjatë periudhave parazgjedhore. “Është e nevojshme që çdo zë politik të gjejë hapësirën e vet në RTSH”, tha ajo.

Duke iu referuar studimeve të kryera nga EBU, përfaqësuesja theksoi se periudhat parazgjedhore përbëjnë një nga testet më të rëndësishme për një media të shërbimit publik. “Në shumë studime që kemi bërë, fjala vjen, sa e rëndësishme është media publike në një parafushatë elektorale? Është çështje që e kemi ndërmarrë, sepse kjo është testi më i lartë për një media publike, testi i parafushatës elektorale”, deklaroi ajo teksashtoi se transmetues publik duhet të jetë në gjendje t’i shërbejë audiencës me informacion të besueshëm, të pavarur dhe të balancuar, veçanërisht në periudha kur qytetarët kanë nevojë për informacion të plotë për çështjet me interes publik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme