Edukimi fizik dhe pasion, 20% më shumë kandidatë se një vit më parë në Universitetin e Shkodrës

Arsim | 2 muaj më parë

Në palestrën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër u zhvillua konkursi i pranimit për degën e Edukimit Fizik.

Djem dhe vajza iu nënshtruan testimeve në disa disiplina, përmes të cilave vlerësohen aftësitë e tyre fizike për t’u bërë pjesë e kësaj dege. Këtë vit është shënuar një interes më i lartë nga të rinjtë.

Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit Fizik, Benjamin Naku, shprehet se numri i kandidatëve është rritur me rreth 20 për qind krahasuar me një vit më parë.

“Një nga degët më të kërkuara në Universitetin e Shkodrës është Edukimi Fizik dhe Sportet. Ajo që vihet re është se numri i konkurruesve të regjistruar për konkurs është pothuajse 20% më i lartë se vitin e kaluar. Ky rezultat është fryt i punës dhe promovimit që është bërë në lidhje me atë çfarë ofron dega jonë: çfarë kurrikulash ka, si dhe mundësitë e punësimit në hapësirat që krijon vetë edukimi fizik dhe sporti.” – Benjamin Naku, përgjegjës i Departamentit të Edukimit Fizik, UNISHK

Për kandidatët, zgjedhja e Edukimit Fizik lidhet me pasionin për sportin, por edhe me mundësitë që kjo fushë mund t’u ofrojë në të ardhmen.

“Rinia ka nevojë për pak më shumë sport. Besoj se është diçka e mirë për shëndetin dhe jam i bindur që për të ardhmen do të jetë një gjë pozitive. Kam zgjedhur edukimin fizik sepse më duket një gjë që më ndihmon për jetën.”

“Është një shkollë shumë e mirë, një shkollë e sportit ku mësojmë për pjesët e trupit dhe mënyrat se si mund të përdoren sa më mirë.”

Konkursi praktik është një prej etapave të rëndësishme të procesit të pranimit, ndërsa kandidatët që synojnë të ndjekin studimet në Edukim Fizik duhet të tregojnë aftësitë e tyre në disiplinat e përcaktuara.

 

Gazetar: M. Gjini


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme