Ekonomia shqiptare do të vijojë rritjen, sfida më e madhe edhe për rajonin mbetet mungesa e fuqisë punëtore

Ekonomi | 1 vit më parë

Ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje të qëndrueshme prej 3,4% në tremujorin e parë të vitit 2025, ndërsa inflacioni është ruajtur nën nivelin e 3%.

Të dhënat e raportit periodik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor vlerësojnë gjithashtu se rënia e varfërisë lidhet me forcimin e tregut të punës dhe me uljen graduale të borxhit publik.

Megjithëse rreziqet e jashtme mbeten të pranishme, raporti thekson se progresi në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian pritet të forcojë besimin e investitorëve, të nxisë vazhdimësinë e politikave dhe të mbështesë rritjen afatgjatë ekonomike.

Në aspektin sektorial, turizmi ka shënuar ngadalësim, por sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit kanë qenë nxitësit kryesorë të rritjes, duke kompensuar rënien e bujqësisë dhe të disa degëve industriale.

Raporti parashikon që ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të përshpejtojnë ritmet e rritjes në vitin 2026 me 3,1% dhe të arrijnë 3,6% në vitin 2027, ndërsa përmirësimi i qëndrueshëm i tregut të punës mbetet një objektiv kyç për rajonin.

Sipas Bankës Botërore, mungesa e fuqisë punëtore dhe shkalla e lartë e papunësisë në disa sektorë mbeten sfidat më të mëdha për zhvillimin afatgjatë të rajonit.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme