Ekskluzive “Në kohë reale” – Bashkëshortja e Agron Çumanit flet për misterin e zhdukjes në Përmet

Aktualitet | 12 muaj më parë

Një ngjarje e pazakontë dhe e rëndë ka tronditur qytetin e Përmetit, ku brenda dy viteve të fundit janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë tre persona nga zona. Ajo që ka shtuar misterin është fakti se të tre janë parë për herë të fundit në të njëjtin aks rrugor, segmentin e vjetër të rrugës Përmet–Lëshicë.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Në kohë reale” në RTSH1, Florida Çumani, bashkëshortja e njërit prej të zhdukurve, Agron Çumanit, ndau me publikun dhimbjen dhe ankthin që familja e saj po përjeton, duke kërkuar që hetimet të përshpejtohen dhe të mos mbeten mister.

Bashkëshortja e Agron Çumanit, ndau me publikun dhimbjen dhe ankthin që familja e saj po përjeton, duke kërkuar që hetimet të përshpejtohen dhe që misteri të marrë fund.

“Bashkëshorti im ka humbur prej datës 4 nga ora 11 pa çerek, vajti të merrte analizën dhe nuk u kthye më. Po binte shi atë ditë dhe nuk u kthye më. Mendova mos ishte tek mamaja e tij dhe atje nuk kishte vajtur. Në orën 5 e mora vjehrrën në telefon dhe më tha që nuk ka ardhur fare djali. Pastaj vajta në tërë qytetin kërkova dhe nuk e gjeta. Mora familjarët, njerëzit e mi tërë natën dhe ditën, më erdhi dhe djali e kërkoi një javë të tërë asnjë shenjë, asgjë”, u shpreh Florida Çumani.

Ajo rrëfen se bashkëshorti i saj kishte probleme me kujtesën, por kurrë nuk kishte humbur rrugën për në shtëpi.

“Harronte, por vinte përditë në shtëpi. Prej një viti e kishte problemin dhe nuk i kisha marrë gjë. Dilte vërdallë dhe vinte në shtëpi në darkë. Edhe natën që dilte shkonte tek mamaja që e shihte, vinte në shtëpi e dinte rrugën. Ishte shumë i qet, shkonte që mblidhte kanoçe dhe thoshte “do dal të lëviz këmbët, çdo bëj në shtëpi”, thoshte. Kërkuam dhe ku nuk shkuam morëm dhe qenin vajti deri në vendin që kishte kaluar ai, asgjë. Atje ku vajti ai tek Ura e Balonjës, atje ishte një kamerë dhe ecte në rrugë sikur fluturonte, ai mezi ecte këtu atje fluturoi, kjo më habit. Atje u pa se tjera kamera ska. Dua të më gjendet se gjallë se vdekur. Autoritetet kanë kërkuar shumë bashkë me familjarët e mi, të gjithë njerëzit. Pa asnjë shenjë, pa asgjë, ku ta kërkoj. A e ka marrë njeri, a e ka fshehur njeri, a ka rënë në lumë, nuk e dimë”, tha ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme