Ekskluzivisht “Në kohë reale”- Mjeku Hasi: Arrestim i orkestruar, akuzat ndryshuan brenda 45 minutash. Me vajzën kam lidhje…

Mjeku Dervish Hasi, i dënuar me 15 muaj burg me akuzën e ndryshuar për dhunë në familje, foli ekskluzivisht në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, duke rrëfyer detajet e arrestimit të tij një vit më parë.
Dr. Hasi konfirmoi se ka dalë nga masa e paraburgimit dhe ka rifilluar jetën normale dhe punën në detyrë që nga momenti që iu dha masa “detyrim paraqitjeje”.
“Urdhri erdhi nga lart”
Duke kujtuar momentet e arrestimit, mjeku deklaroi se ishte rrethuar nga policia teksa ndodhej me bashkëjetuesen. Ai shprehu habinë e tij për mungesën e arsyeve të menjëhershme nga policia:
“Nuk na thonin asnjë arsye se përse na ndaluan. Aty kam folur me shefin e komisariatit. Ai më tha se urdhri ka ardhur nga lart,” rrëfeu Hasi.
Mjeku vlerësoi se ndalimi ishte një operacion i orkestruar: “Besoj se ka pasur persona të caktuar që kanë qenë të interesuar që unë të ndalohesha… Ishte një ndalim i mirë organizuar nga policia.”
Nga “pornografia” te “dhunë në familje”
Dr. Hasi përforcoi versionin e avokatit të tij, duke theksuar se fillimisht akuzohej për vepra shumë të rënda si trafik fëmijësh dhe pornografi, akuza që, sipas tij, u ngritën “pasi dukej se duhej me çdo kusht të garantohej arrestimi im.”
Ai sqaroi se bëhej fjalë për një lidhje dashurie, jo për një vepër penale.
Sipas tij, familjarët e vajzës e dinin për lidhjen e tyre dhe se vajza ishte në moshën e duhur ligjore.
Sipas mjekut, asnjë dëshmi nga familjarët nuk ka përmendur dhunë. Ata, sipas Hasit, thjesht shprehnin mospajtimin me lidhjen.
Mjeku Hasi përfundoi me një notë personale, duke zbuluar se marrëdhënia ka avancuar: “Me vajzën kam lidhje martesore tani.”
Dr. Hasi u shpreh se kishte shpresuar drejtësisë deri në momentin e fundit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




